E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita të votojë ligjet e kërkuara nga Brukseli”

30-03-2011 / Gazeta 55

Seminari konsultativ BE-Shqipëri për 12 rekomandimet e KE-së

Në seminarin dyditor për 12 rekomandimet e KE-së, do të analizohen të gjitha prioritetet e Planit të Veprimit të përgatitur nga institucionet shqiptare, me qëllim përmirësimin e këtij Plani me sugjerime të palës komunitare. Ditën e djeshme në ambientet e hotel “Sheraton” në Tiranë u zhvillua seminari konsultativ i organizuar nga Komisioni Europian dhe Ministria e Integrimit, lidhur me Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së.
Në këtë seminar që do të zgjasë dy ditë, do të analizohen të gjitha prioritetet e Planit të Veprimit me qëllim përmirësimin e tij me sugjerime të palës komunitare.
Në fjalën e hapjes, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu rikonfirmoi në emër të qeverisë, angazhimin dhe përpjekjet serioze të Shqipërisë për një ecuri pozitive dhe të shpejtë në procesin e integrimit.
“Shpresoj që ky takim konsultativ të shërbejë si mënyrë miratimi i një projekti pune dypalësh në përmbushjen e detyrimeve të 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. Shpresoj gjithashtu që angazhimi të jetë i përbashkët, mazhorancë-opozitë, e rezultati i matshëm, i përkthyer në respektim të ligjit dhe përmbushje të detyrimeve të diktuara”, tha ministrja duke shtuar se vlera e opozitës në këtë proces, është e patjetërsueshme, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë praktik, pasi 5 rekomandimet e para të KE-së flasin për votim në Parlament të ligjeve me 3/5.
Ndërsa kryesuesi i palës europianë në takim, Stefano Saninno, zëvendësdrejtori i përgjithshëm pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, tha se me diskutimet rreth Planit të Veprimit, synohet të shqyrtohet një vizion politik i ndërmarrjeve të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Nëpërmjet diskutimeve të sotme dhe të nesërme, do të arrijmë të kuptojmë qartësisht dhe të ndjekim së bashku punën teknike që nevojitet për të implementuar problemet kyçe që kemi identifikuar së bashku”, tha Saninno duke shtuar se udhëtimi drejt integrimit europian, është kompleks dhe ka nevojë për mbështetjen e të gjithë vendit.
“Vlen të theksohet se ky proces nuk është sipërmarrje e një pale politike, apo një segmenti të shoqërisë, por është një sipërmarrje e të gjithë vendit, të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile. Kjo sepse, angazhimi që nevojitet është afatgjatë”, tha ai.  Duke iu referuar zhvillimeve politike, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Zgjerimit vlerësoi dialogun politik midis partive kryesore, si një zhvillim të mirëpritur, si një element kyç, konstruktiv për përmbushjen e të gjitha prioriteteve.
“Ne e vlerësojmë progresin e bërë në disa fusha që nga administratat publike, gjyqësori, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe shumë gjëra që janë kryer nga Shqipëria gjatë viteve të fundit”, tha më tej Saninno. Sipas tij, ajo që duhet të arrihet gjatë diskutimeve të këtyre dy ditëve, është krijimi i një baze konsensuale të punës së përbashkët për muajt e ardhshëm, “pasi përgjegjësia për këtë proces, është jo vetëm e institucioneve të vendit, por edhe e Komisionit Europian për të ndihmuar në identifikimin e elementëve që kanë rëndësi thelbësore për BE-në”.
Pas raportimeve të detajuara të grupeve të punës për fushat specifike në kuadër të 12 rekomandimeve të KE-së, sot, pala evropiane dhe ajo shqiptare do të dalin në një konferencë të përbashkët për mediat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›