E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës i drejtohet Gjykatës me tre padi civile



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka dorëzuar dje pranë Gjykatës së Tiranës tre padi civile, për kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi dhe për Partinë Demokratike. Padia është ngritur mbi bazë të deklaratave dhe akuzave të fundit në të tria rastet, të cilat sipas bashkisë kanë cenuar dinjitetin e administratës që punon në këtë institucion. Padia është depozituar nga Përfaqësuesja Juridike e Bashkisë së kryeqytetit, Migena Vishko, e cila theksoi se këto padi janë bërë nga Bashkia e Tiranës, e ku kërkon nga këto tre subjekte përgënjeshtrim ndaj shpifjeve që i janë drejtuar këtij institucioni. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës kërkon zhdëmtim për cenimin e dinjitetit.
Deklarata
Përfaqësuesja Juridike në Bashkinë e Tiranës kërkoi dëmshpërblimin dhe përgënjeshtrimin e menjëhershëm që ka përbaltur punën e këtij institucioni dhe ka fyer administratën e tij. Ajo ka paralajmëruar se do të bëjnë edhe padi penale ndaj Berishës dhe Olldashit, për akuza të pavërteta për korrupsion. “Paditë sot ishin kallëzim civil, por jemi gati për kallëzim penal”, tha Vishko. Ndërkohë që si kompensim përveç përgënjeshtrimit, Bashkia e Tiranës ka kërkuar 1250 pemë dëmshpërblim nga palët e paditura. Kohët e fundit, akuzat dhe deklaratat e këtyre subjekteve kundrejt bashkisë kanë qenë të forta, të cilat janë përgënjeshtruar nga bashkia e Tiranës. Madje administrata e bashkisë, hartoi një peticion drejtuar organizmave ndërkombëtare për ndalimin e shpifjeve dhe përbaltjes që u bëhet punonjësve të saj.
Paditë
Për të tre paditë e depozituara, Bashkia ka kërkuar dëmshpërblime. Kështu, për akuzat publike të kohëve të fundit, për afera korruptive dhe për shitjen e tokës tek “Tajvani”, të bëra nga ana e Kryeministrit të Republikës, Ministrit të Punëve Publike dhe Partisë Demokratike, bashkia ka kërkuar si dëmshpërblim blerjen e 1250 pemëve. Sipas Përfaqësueses Juridike të Bashkisë, Partia Demokratike duhet të paguajë dëmshpërblim për cenimin e nderit dhe personalitetit të Kryetarit Rama. Në lidhje me përcaktimin e dëmit, specialistët konkludojnë se dëmshpërblimi duhet të jetë me vlerë 20 milion lekë. Kjo shumë do të përdoret në favor të komunitetit të kryeqytetit, për të vendosur në vend imazhin e Bashkisë së Tiranës si dhe të punës së Kryetarit të saj dhe njëkohësisht të KRRT-së Tiranë. “Konkretisht, shuma 20.000.000 lekë do të përdoret për blerjen dhe mbjelljen 1250 pemëve të llojit bli, gështenjë e egër dhe rrap (me cirkoferencë 24 milimetra). Bazuar në nenin 625dhe 640 të Kodit Civil kërkojmë që pala të paguajë dëmshpërblim për dëmin jopasuror që na ka shkaktuar, pasi na ka cenuar në nderin dhe personalitetin të Bashkisë së Tiranës. Në lidhje me përcaktimin e dëmit, duke marrë në konsideratë cenimin e personalitetit dhe të dinjitetit të Paditësit, faktit që lajmi është përhapur me shpejtësi për shkak të tirazhit jo të vogël të gazetave dhe televizioneve, konkludohet se dëmshpërblimi duhet të jetë i barabartë me vlerë 20.000.000 lekë”,- thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa
1. Bazuar në nenin 617 të Kodit Civil, kërkojmë që pala të kryejë një përgënjeshtrim, sipas mënyrës që ajo e konsideron më të përshtatshme për shkrimin e cituar më sipër.

Nenin 618 i cili përcakton se: “Personi juridik është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga organet e tij në kryerjen e detyrave”

2. Bazuar në nenin 625 dhe 640 të Kodit Civil kërkojmë që pala të paguajë dëmshpërblim për dëmin jopasuror që na ka shkaktuar, pasi na ka cenuar në nderin dhe personalitetin të Bashkisë së Tiranës. Në lidhje me përcaktimin e dëmit, duke marrë në konsideratë cenimin e personalitetit dhe të dinjitetit të Paditësit, faktit që lajmi është përhapur me shpejtësi për shkak të tirazhit jo të vogël të gazetave dhe televizioneve, konkludohet se dëmshpërblimi duhet të jetë i barabartë me vlerë 20.000.000 Lekë.

Kjo shumë do të përdoret vetëm në favor të komunitetit të kryeqytetit, për të vendosur në vend imazhin e Bashkisë së Tiranës si dhe të punës së Kryetarit të saj. Konkretisht, shuma 20.000.000 lekë do të përdoret për blerjen dhe mbjelljen 1250 pemëve të llojit bli, gështenjë e egër dhe rrap (me cirkoferencë 24 milimetra).

Përsa parashtruam më lart, lutemi të na caktoni një datë për gjykim, ditë në të cilën do të paraqesim dhe provat në të cilat mbështesim pretendimet tona.
Shpresojmë në një gjykim të drejtë dhe të paanshëm!

Edi Rama
Kryetar

3 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›