Plagoset me armë pas sherrit për aparatin celular
FIER – Një konflikt për pronësinë e një aparati celular në internet-kafe në qytetin e Fierit ka përfunduar me përdorimin e armëve ku ka mbetur i plagosur një 35-vjeçar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje. Sipas tyre, i lënduari është shtetasi Artan Alushaj, i cili është qëlluar nga një i ri tjetër, i identifikuar tashmë nga policia, e cila ka shpallur në kërkim autorin e plagosjes. Sherri ka nisur për një celular ku nuk kanë munguar armët e zjarrit për të sqaruar situatën. Menjëherë pas incidentit është lajmëruar policia, e cila ka ardhur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për shkaqet e krimit. Policia nuk ka mundur ta arrestojë dot autorin, pasi ai është larguar menjëherë nga vendngjarja. 35-vjeçari Alushaj është dërguar menjëherë në spitalin e Fierit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Nga burimet spitalore njoftohet se Artan Alushaj është jashtë rrezikut për jetën. Mbi autorin e krimit rëndon akuza e “armëmbajtjes pa lejë” dhe “vrasje e mbetur në tentativë”.
Shpejtësia i merr jetën një personi dhe plagos dy të tjerë në Përmet
PËRMET - Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në lumin Vjosa, për pasojë një person ka humbur jetën dhe janë plagosur dy të tjerë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, në aksin rrugor Përmet-Çarshovë, në vendin e quajtur Petra, ku 3 person ishin duke udhëtuar me një mjet i tipit ‘Nissan” me targa greke, i cili, pasi ka dalë nga rruga, ka përfunduar në lumin e Vjosë. Drejtuesi i automjetit, Vladimir Dashi, ka humbur jetën, ndërkohë që janë plagosur rëndë dy pasagjerët, Artan Vangjeli dhe Kudret Çaushi. Të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Përmetit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, që kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga uji dhe dy të plagosurve nga makina, ndërsa kanë vijuar hetimet në lidhje me shkakun e ngjarjes. Aksidentet automobilistike në rrugët e Shqipërisë janë shumë të shpeshta. Para 3 ditësh një tragjedi e ndodhi në aksin rrugor Fushë-Krujë – Laç, ku humbën jetën 6 persona nga përplasja e dy automjeteve së një ambulance të Laçit me një automjet tip “Benz”. Shpejtësia tej normave të lejuara e mjetit tip autoambulancë dhe e benzit ku ndodheshin pesë të rinj, mendohet të ketë qenë shkaku i këtij aksidenti. Autoambulanca udhëtonte nga Tirana në drejtim të Laçit, ndërsa benzi në krah të kundërt. Edhe në rastin e aksidentit të Përmetit sipas policisë paraprakisht dyshohet se shkaku të ketë qenë shpejtësia e mjetit.
“Bitumi” çon në pranga hajdutin e 20 tonëve krom
LIBRAZHD – Vjedh në mes të ditës një sasi prej 20 tonësh mineral, por pas denoncimit nga kompania është vënë në pranga autori kryesor dhe po hetohet për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tij. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje u organizua operacioni policor i koduar me emrin “Bitumi”, i cili përfundoi me arrestimin e shtetasit Isuf Delba 47 vjeç, lindur dhe banues në Përrenjas. Sipas tyre, ditën e mërkurë është vjedhur një sasi minerali në lagjen “Ndërmarrja e Bitumit” (Solarit), e cila ndodhet në Përrenjas. Pas hetimeve të para policia zbuloi autorin e vjedhjes së një sasie prej 20 tonësh mineral në minierën e fshatit Menik, të komunës Qukës, si dhe në fshatin Katjel të komunës së Rrajcës. “Nga ana jonë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale sasia e kromit të vjedhur”, - thonë burimet zyrtare, sipas të cilave, 47-vjeçari Delba dyshohet të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë në vjedhjen e sasisë së mineralit. Zëdhënësja e policisë sqaron se “materialet në ngarkim të shtetasit Isuf Delba i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit, pasi ai akuzohet për veprën penale të vjedhjes.
Shqipëri-EUROPOL, marrëveshje për luftën kundër krimit
HAGË – Qeveria shqiptare dhe agjencia europiane e luftës kundër krimit “EUROPOL”, firmosën dje në Hagë një marrëveshje strategjike për luftën kundër krimit të organizuar. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se dokumenti u firmos dje nga zoti Lulzim Basha dhe shefi i agjencisë së BE-së, Rob Wainwright.
Marrëveshja synon të forcojë komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi veprimtaritë kriminale mes zyrës së EUROPOL-it dhe autoriteteve policore shqiptare. Kjo marrëveshje përcakton gjithashtu edhe mënyrat e format e bashkëpunimit për realizimin e operacioneve të përbashkëta, kryesisht ato ndërkufitare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Drejtori i Përgjithshëm i EUROPOL-it, Rob Wainwright, shprehu angazhimin për forcimin e bashkëpunimit midis EUROPOL-it dhe autoriteteve shqiptare për luftë kundër krimit të organizuar dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe rolin e saj udhëheqës në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale.
3 Dhjetor 2009