E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytet Fieri nga Gjanica, bllokohet autostrada në Lushnjë



Eljona Lata

FIER – Shirat e shumtë të rënë gjatë ditës dhe natës së djeshme kanë përmbytur një zonë të tërë në qytetin e Fierit dhe kanë bllokuar një pjesë të autostradës në drejtim të Lushnjës. Burimet zyrtare pohojnë se lumi Gjanica ka dalë sërish nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në banesat dhe pikat e tregtimit që ndodhen përgjatë shtratit të lumit. Tregu industrial është mbushur plot me ujë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale te tregtarët e zonës. Po ashtu, përmbytje ndodhën edhe përgjatë autostradës Fier-Lushnjë, ku në një gjatësi prej 50 metrash aksi u mbush me ujë. Për pasojë, dy automjete mbetën në pellgun e madh dhe vetëm pas disa orësh arritën që të dalin. Autoritetet vendore njoftojnë se gjatë ditës së djeshme ka pasur përmbytje edhe në qytetin e Kavajës dhe zonat përreth.
Përmbytja
Shtrëngatat e mëdha të shiut dhe erërat e forta kanë sjellë fryrjen dhe daljen lumit Gjallica nga shtrati duke përmbytur të gjitha zonën përreth. Por kjo nuk është hera e parë ku lumi Gjanica del nga shtrati dhe përmbyt tregun industrial, por ky fenomen është i zakonshëm sa herë që bien reshje shiu duke krijuar kështu një situatë problematike për gjithë zonën. Gjithashtu janë përmbytur edhe dhjetëra shtëpi dhe lokale nga ujërat e lumit. Dëme më të mëdha kanë pësuar tregtarët e qytetit, të cilëve u është bllokuar vendi i tregtimit. Ndërkohë që niveli i ujit ka arritur në disa centimetra duke vështirësuar ndërhyrjen në zonën e përmbytur. Nga sasia e madhe e ujit nëpër rrugë është bllokuar edhe hyrja e autostradës Fier-Lushnjë. Qarkullimi është i pamundur në gjatësinë prej rreth 50 metrash dhe mjetet janë detyruar të udhëtojnë nga rruga e vjetër Fier-Kolonjë. Përmbytja ka shkaktuar dëme të shumta materiale në të gjithë zonën përreth.
Shkaku
Dalja e lumit Gjanica nga shtrati dhe përmbytja është bërë një fenomen i zakonshëm në zonën e tregut industrial në qytetin e Fierit, ky fenomen ndodh sa herë që ka reshje të shumta shiu. Gjanica është kthyer në një problem për banorët e zonës për shkak të mospastrimit të inerteve. Qysh prej 15 vjetësh nuk është ndërhyrë për largimin e inerteve përgjatë shtratit të lumit Gjanica, duke bërë që përmbytjet të jenë të shpeshta veçanërisht në sezonin e reshjeve. Të gjitha planet e pushtetit vendor për pastrimin e tij kanë dështuar, ashtu siç kanë dështuar edhe tentativat për të larguar nga anët e këtij lumi ndërtimet e realizuara pas viteve ‘90. Nuk dihet edhe për sa kohë banorët e kësaj zone po ashtu edhe tregtarët e tregut industrial do të vazhdojnë të përmbyten sa herë të ketë reshje të shumta shiu. Përmbytje janë regjistruar në dy fshatra në komunën Synej në Kavajë, përkatësisht në fshatin Bago dhe Karpen. Dalja nga shtrati e përroit ka bërë që të përmbyten dhjetëra hektarë tokë, ndërsa uji ka mbuluar dhe urën në fshatin Bago. Mësohet se niveli i ujit ka arritur rreth 25 centimetra, por fatmirësisht deri tani nuk ka hyrë në brendësi të banesave. Moti i keq me shtrëngata shiu dhe erë të fortë ka sjellë probleme në të gjithë vendin. Ditën e martë era e fortë dhe forca goditëse e dallgëve ka bllokuar qarkullimin e trageteve dhe të anijeve në portet e Vlorës dhe të Durrësit.

Plagos me makinë kalimtarin, tenton t’ia mbathë

KORÇË - Forcat e policisë të Korçës kanë arrestuar në flagrancë një 19-vjeçar, i cili, pasi aksidentoi me makinë një person, tentoi të largohej menjëherë nga vendngjarja. Aksidenti ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Korçës, ku shtetasi Korado Kitani, 19 vjeç ka përplasur me makinë 56-vjeçarin Yllson Shuri. Sipas burimeve policore, në momentin kur ndodhi aksidenti, 19-vjeçari Kitani drejtonte mjetin e tij, tip xhip, me targë KO 0034 A me të cilin ka përplasur mjetin “Motokaro Piaxho” me targë KO 357 A, me drejtues 56-vjeçarin Yllson Shuri, banues në fshatin Bulgarec. Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në Spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Korado Kitani, pas aksidentit, është larguar bashkë me mjetin e tij nga vendi i ngjarjes. Por policia ka bërë të mundur kapjen e autorit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme. Mbi këtë shtetas rëndon vepra penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i ngjarjes”.

3 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›