E Diel, 1 Nëntor 2026

Licencimi i klinikave shëndetësore, procedurat për ushtrimin e aktivitetit



Subjektet që kërkojnë të ushtrojnë aktivitetin privat në fushën e shëndetësisë duhet të jenë të pajisur me licencën përkatëse. Ata duhet t’i nënshtrohen disa rregullave ligjore dhe të zbatojnë afatet e përcaktuara për të cilën do të marrin licencën ose lejen e ushtrimit të këtij aktiviteti. Procedurat përcaktohen sipas urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë Nr. 2384, datë 22.06.2006 “Për dhënien e licencës për ushtrimin e aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë”. Subjektet duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë pranë Sektorit të Licencimit të Aktivitetit Privat në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas procedurave, specialistët do të shqyrtojnë të gjitha rastet, duke iu referuar kritereve dhe rregullave të përcaktuara për dhënien e lejes së ushtrimit të aktivitetit.
Rregullorja
Pas dorëzimit të dokumentacionit në MSH, specialistët seleksionojnë, subjektet që e përfitojnë të drejtën. Ata që nuk e përfitojnë përjashtohen, si dhe në disa raste kur dokumentacioni i dorëzuar nuk mund të jetë i plotë. Komisioni i Licencimit mblidhet çdo muaj për të bërë shqyrtimin e dokumenteve të dorëzuara, ndërsa informacionin mbi subjektet e licencuara botohet në një nga mediat e shkruara (gazeta) më të shitura në vend për çdo muaj. Licenca duhet të tërhiqet brenda dy muajve nga data e miratimit. Formularët me kriteret e licencimit duhet të shkarkohen nga faqja e Ministrisë së Shëndetësisë. Ato janë specifike për llojin e aktivitetit që kërkohet të licencohet, ku për çdo aktivitet është një formular i ndryshëm. Formulari është në formën e autodeklarimit dhe duhet të plotësohet nga subjekti i interesuar dhe të firmoset prej tij. Bashkë me formularët duhet të jenë të gjitha dokumentet që kërkohen në të, nëse një dokument mungon, atëherë subjektit nuk i jepet licenca.
Procedurat e farmacive
Gjatë vitit të kaluar, ndryshuan procedurat për licencimin e farmacive dhe disa kategorive të tjera të licencave për ushtrimin e aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë. Në bazë të vendimit të qeverisë u vendos që kompetencat për hapjen e farmacive në rrethe, i kalojnë Drejtorive Rajonale të Rretheve përkatëse. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë, ka nën juridiksionin e saj, disa aktivitete të tjera të rëndësishme siç janë fabrikimi i medikamenteve, import – eksportin dhe tregtimin e barnave narkotike dhe substancave psikotrope. Të gjithë personat që duan të hapin një farmaci në një nga qytetet e vendit, duhet të kryejnë procedurat e licencimit dhe të regjistrimit në Drejtoritë e Shëndetit Publik në Rrethe. Këto drejtori, do të mbajnë përgjegjësi dhe do të ushtrojnë kontrolle për farmacitë e licencuara, në rrethet përkatëse. Të gjithë personat, vendas dhe të huaj që duan të ushtrojnë veprimtari private në fushën e shëndetësisë, i nënshtrohen procesit të licencimit për ushtrimin e aktivitetit.

Box
Procedurat që duhet të ndjekin subjektet
Dokumentacioni për licencim të aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë depozitohet pranë Sektorit të Licencimit të Aktivitetit Privat në Ministrinë e Shëndetësisë. Dokumentacioni pranohet i plotë (në përputhje me kriteret e licencimit të përcaktuara me Urdhër të Ministrit të Shëndetësisë).

Si rregull komisioni mblidhet çdo muaj. Subjektet e interesuara paraqiten për tërheqjen e licencës pranë sektorit të licencimit të aktivitetit privat.

Informacionin mbi subjektet e licencuara botohet në një nga mediat e shkruara (gazeta) më të shitura në vend për çdo muaj. Licenca duhet të tërhiqet brenda dy muajve nga data e miratimit.

Formularët me kriteret e licencimit shkarkohen nga faqja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë specifike për llojin e aktivitetit që kërkohet të licencohet. Formulari është në formën e autodeklarimit dhe duhet të plotësohet nga subjekti i interesuar dhe të firmoset prej tij.
Bashkëlidhur formularit duhet të jenë të gjitha dokumentet që kërkohen në të.
Subjekti mban përgjegjësi të plotë për vërtetësinë e dokumentacionit që dorëzon.
Dokumentacioni i dorëzuar duhet të përmbajë adresën e plotë të subjektit.
Në raste të caktuara sektori i licencimit mund të kërkojë edhe dokumente shtesë për të sqaruar problematikën e lindur.

Vaksina, priten dozat e para brenda 10 ditësh
Brenda 10- ditëshit të parë të këtij muaji pritet ardhja e vaksinës kundër gripit të derrit në Shqipëri. Sipas Drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero sasitë e para të vaksinës janë siguruar nga Hungaria dhe Gjermania. “Porosia është bërë dhe priten 200 mijë doza nga Hungaria dhe 50 mijë nga Gjermania”, - u shpreh Pipero. Drejtori garanton qytetarët se vaksina që do të vijë në Shqipëri dhe që si fillim do të përdoret për grupet e riskut nuk ka efekte anësore. “Nga informacionet që kemi kjo vaksinë, që po përdoret gjerësisht në Hungari, nuk ka pasur efekte anësore”, - u shpreh Pipero. Përsa i përket mungesës së vaksinës së gripit të zakonshëm në tregun farmaceutik edhe pse nuk është përgjegjësi direkte e Ministrisë, por e grosistëve, Drejtori shprehet se janë kontaktuar firma të mëdha dhe pritet të mbërrijnë partitë e tjera të kësaj vaksine në treg. Kjo vaksinë mund të bëhet deri në muajin shkurt nga cilido që ende nuk është prekur nga virusi.

Studimi: Mamografia rrit rrezikun e kancerit
Mamografia rutinë për disa gra, mund të jetë e rrezikshme duke nxitur zhvillimin e sëmundjes së kancerit të gjirit. Ky është rezultati i nxjerrë nga një studim i kohëve të fundit, sipas të cilit gratë me një predispozicion gjenetik apo histori familjare të kancerit të gjirit që i nënshtrohen mamografisë, janë 1.5 herë më shumë të predispozuara për zhvillimin e kësaj sëmundje.
Studiuesit e universitetit kryesor të Holandës, kanë pohuar se edhe pse është e rëndësishme që gratë t’i nënshtrohen kontrollit të gjinjve të tyre përmes rrezeve, kanë paralajmëruar se gratë në rrezik duhet të shmangin mamografinë dhe të gjejnë metoda të tjera alternative për të monitoruar gjendjen shëndetësore të gjëndrave në gji. Për të arritur në konkluzionet e tyre, studiuesit kryen shqyrtimin e një dokumenti për të përcaktuar se ekspozimi ndaj rrezatimit ndikon në rrezikun e kancerit të gjirit tek gratë e predispozuara që ta kenë atë. Me të dhënat e mbledhura, hulumtuesit vlerësuar ndikimin e mamografisë në raste të ndryshme të zhvillimit të kancerit të gjirit. Sidomos për gratë nën moshën 20 vjeç, të cilat i janë nënshtruar mamografisë në pesë ose më shumë herë në vit, pati një rrezik të shtimit të sëmundjes me 2.5 herë. Për këto arsye, studiuesit sugjerojnë një qasje të kujdesshme në përdorimin e rrezatimit me dozë të ulët të grave në rrezik të lartë për të pasur kancer gjiri.

3 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›