E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës kërkon zgjidhje të përkohshme për katastrofën e trashëguar në urbanistikë dhe në trafikun e rënduar

14-08-2011 / Gazeta 55

Operimi për 11 vite nga Bashkia e Tiranës vetëm me plane pjesore urbanistike dhe jo me plan të përgjithshëm, ka bërë që kryeqyteti të vuajë gjithnjë e më fort trafikun e rënduar në çdo ditë, në çdo moment të saj dhe në çdo stinë të vitit. Plan i tillë i pjesshëm që nuk ofron asnjë zgjidhje për trafikun është dhe ai francez për qendrën. Për me tepër, me ndërtimin e sheshit “Skënderbej” u projektua dhe bllokimi i lëvizjes së makinave, pa planifikuar kështu, se ku do të orientohet qarkullimi në një kryeqytet, ku çdo aktivitet, të paktën zyrtar e ka të përqendruar në zemrën e tij. Pikërisht edhe këtë problematike do të duhet të zgjidhë Plani i Përgjithshëm urbanistik për Tiranën, premtuar nga kryebashkiaku Basha. Sipas ekspertit të planifikimit të territorit Marin Biçoku plani i ri do të duhet të përfshijë elementë që mund t’i japin zgjidhje të studiuar dhe afatgjatë trafikut, pasi në projekt-planin e Ramës sërish zgjidhjet e ofruara ishin të mangëta. “Ka një gabim tjetër që ndodh rëndom kur planifikohen investimet”- vëren Biçoku, “pasi parashikohet vetëm kostoja e ndërtimit, dhe autoritetet arrogante nuk marrin asnjëherë parasysh koston që shkaktojnë këto investime në shoqëri”. “Produkt i kësaj arrogance është edhe Tirana që sot kemi”- thotë ai. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka premtuar se plani urbanistik për Tiranën do të jetë i gatshëm brenda një viti. “By pass”-et, nënkalimet ose mbikalimet janë elementë qe do e duhet të parashikohen në studimin afatgjatë, ka theksuar kryebashkiaku Basha. Një grup pune në bashki po studion se çfarë do të ndryshojë në planin e qendrës, ndërsa sheshi “Skënderbej” është në ndërtim, për të ofruar për trafikun e qendrës fillimisht zgjidhje afatshkurtra.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›