Edhe Gjinushi kundër Ramës: Krizën e së majtës nuk e zgjidhin ndryshimet kushtetuese - Edi Rama t’u japë llogari aleatëve

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi thotë se tendencat e Partisë Socialiste për të nisur një kurs të ri politik, përmes kërkesave absurde për ndryshime kushtetuese, s’janë gjë tjetër veçse përpjekje e lidershipit të selisë rozë Edi Rama, për të fshehur përgjegjësit ndaj aleatëve dhe të majtës politike. Aleati më i ngushtë i socialistëve, Gjinushi, shprehet se Edi Rama, para se të kërkojë amendamente ligjore që kërkojnë një konsensus të gjërë politik, në radhë të parë duhet të normalizojë marrëdhëniet mes anëtarëve të koalicionit të majtë. “Unë nuk mendoj se ndryshimet ligjore, apo kushtetuese do të zgjidhnin këtë krizë. Vendi sot është në krizë dhe PS kërkon amendamente Kushtetuese të cilat kërkojë shumicë parlamentare, ndërsa vetë e majta nuk është shumicë, nuk është e unifikuar. Edhe sikur Presidenti të zgjidhej nga e majta, përsëri situata do të ishte e njëjtë. Nuk do të ndryshonte asgjë”- shprehet Gjinushi, ndërsa kritikon Edi Ramën se vazhdon të mbajtë një qëndrim indiferent ndaj aleatëve të majtë. Sipas Gjinushit nevojitet një zgjidhje politike, opozita duhet të dalë me një qëndrim të prerë, dhe jo të presë radhën për të ardhur në pushtet. Pas zgjedhjeve të 8 majit dhe pak para mbylljes së betejës për Tiranën, Edi Rama thirri asamblenë e partisë, ku njoftoi praninë e deputetëve të majtë në parlament në shtator, ndërsa më vonë lançoi edhe nismën për ndryshime kushtetuese, ndërsa s’ka pranuar të komentojë apelin e ndërkombëtarëve për reformën e re elektorale.
...