E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhja e Presidentit, LSI: Konsensusi i mazhorancës, vetëm për figura të denja

14-08-2011 / Gazeta 55

Pranvera e vitit të ardhshëm shënon fundin e mandatit 5 vjeçar të Presidentit të Republikës. Edhe pse koha është optimalisht e mjaftueshme për të nisur diskutimet e para si dhe konkretizimin e kandidaturave, partitë politike janë vënë në lëvizje për t’i paraprirë këtij momenti, i cili s’duhet të rezultojë njësoj si 4 vite më parë, kur procesi i zgjedhjes së presidentit të Republikës ngërtheu vendin në një krizë të re politike, duke rrezikuar ndjeshëm stabilitetin politik. Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet se mazhoranca qeverisëse do japë konsensusin e duhur politik vetëm për figurat e denja dhe përfaqësuese. Sekretari i marrëdhënieve me publikun në LSI, Ardit Çela tha dje se PD dhe LSI do pranojnë mandatimin e kreut të ri të shtetit, vetëm për atë kandidaturë që gëzon reputacionin e duhur konsensual dhe në mënyrë të veçantë të jetë figurë e denjë për postin e Kreut të Shtetit. “Primare është që, në themel të diskutimit, të jetë figura e përfaqësimit të Presidentit. PD dhe LSI do japin konsensusin parlamentar për atë figurë që mbart reputacion konsensual si dhe është një figurë e denjë për postin e Presidentti të Republikës”- tha ai. Duke u ndalur tek qeverisja PD-LSI, ai vlerësoi se kjo qeverisje është më e fortë se kurrë dhe se do të vazhdojë të qeverisë e sigurt edhe për pjesën tjetër të mandatit. “Zërat mbi bashkëpunime të ndryshme që ka hedhur në treg vetë PS-ja kanë një të vërtetë. Ftojmë PS-në, të bashkëpunojë me ne dhe me PD-në për pikat, që duhet të përmbushim për marrjen e statutit për vendin kandidat”- nënvizoi Çela.
 Sekretari i marrëdhënieve me publikun në LSI, deklaroi se kjo forcë politike në muajin shtator do të hyjë në një fazë ristrukturimi, për t’u përballur me zgjedhjet e ardhshme të 2013-ës. “Në shtator fillojmë fazën e ri-organizmit të LSI-së. Është fazë, që do të shoqërohet me debate të brendshme”- nënvizoi Çela. Përsa i përket grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës, ai deklaroi se të dyja palët duhet të ulen dhe t`i japin zgjidhje problemit, sepse sa më shumë kalon koha, aq më e rënduar bëhet gjendja për minatorët.
Sipas Çelës, duhet dialog i sinqertë dhe i bazuar mbi arsyetim të qartë, për të gjithë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›