Policia Bashkiake e Tiranës vazhdon aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje
Florenc Hoxha: Janë ndërtuar para dhe pas zgjedhjeve, as ligji e as bashkia s’do t’i tolerojë
Policia Bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik ndërmori dje aksionin e radhës, për të prishur disa shtesa pa leje, të bëra në tarracat e pallateve, në zonën e “Shallvareve”. Shtesa pa leje në këtë zone, ishte ndërtuar në muajt e fundit, pa respektuar kriteret ligjore. Drejtori i Policisë Bashkiake z.Florenc Hoxha ritheksoi që qytetarët të mos ndërtojnë pa leje, pasi në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit.
“Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik ndërmori këtë aksion, për prishjen e këtij ndërtimi pa leje, të bërë në muajt e fundit, në kushte flagrante dhe në qendër të kryeqytetit. Pronarët bënë një rezistencë ndaj aksionit, por më pas bashkëpunuan plotësisht me inspektorët, për të kthyer ligjin në vend. U ribëj thirrje qytetarëve të Tiranës, që të kuptojnë se situata ka ndryshuar në Bashkinë e Tiranës dhe nuk duhet të marrin iniciativa, për ndërtime të jashtëligjshme, ndryshe do të përballen me forcën e ligjit” - tha Hoxha
Drejtori i Policisë Bashkiake informoi se janë marrë të gjitha masat e sigurisë, për shembjen e këtyre ndërtesave të paligjshme. “Janë marrë të gjitha masat përkatëse. Është bërë studimi nga inspektorët e inxhinierët dhe do merren masa edhe për largimin e inerteve. Kemi bashkëpunim dinjitoz, të përditshëm dhe marrim ankesa nga qytetarët dhe inspektorët në minibashkitë përkatëse. Kemi vullnetin dhe ligjin do e zbatojmë deri në fund” - u shpreh Hoxha. Në harkun kohor të 2 ditëve, strukturat përkatëse të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik kanë ndërmarrë aksione për prishjen e 6 ndërtimeve pa leje. Punimet për këto ndërtime janë zhvilluar para dhe pas zgjedhjeve, duke përfituar nga apatia e pushtetit vendor të Tiranës, apo edhe nga legjitimi i kaosit urban nga ish kryebashkiaku Edi Rama.