Bashkia e Tiranës nis fushatën e informimit për kundravajtjet mjedisore
Bashkia e Tiranës nëpërmjet Drejtorisë së Kontrollit mbi Territorin për të mbrojtur hapësirat publike në Kryeqytet, ka nisur një fushatë informimi për kundravajtjet në mjedis. Në bazë të një vendimi të Këshillit Bashkiak të 2008-ës, kjo drejtori aplikon sanksione ndaj kundravajtjeve të ndryshme që i bëhen mjedisit urban. Burime nga Drejtoria e Kontrollit mbi Territorin pranë Bashkisë thonë se '' Me qëllim që qytetarët dhe subjektet tregtare që operojnë në Tiranë të njihen me shkeljet në hapësirat publike, kemi ndërmarrë një fushatë sensibilizuese dhe informuese në lidhje me sanksionet që parashikohen në çdo rast”. Sipas të njëjtave burime ''Kjo fushatë ka të bëjë me prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve informuese, të cilat do të njoftojnë publikun me listën e shkeljeve dhe masat që do të merren ndaj tyre. Gjobat për kundravajtjet shkojnë nga 2 mijë deri në 100 mijë lekë”. Në listën e këtyre shkeljeve në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak hyjnë : Ndotja me baltë e rrugëve e trotuarëve gjatë transportit ose punimeve në kantierët e ndërtimit, djegia e mbetjeve urbaneve në kontenierë, në territore private dhe publike, brenda vijës së verdhë të qytetit, hedhja në trotuar e ujërave dhe mbetjeve të ndryshme nga pastrimi apo larja e lokaleve të shërbimit, dorëzimi i mbetjeve urbane jashtë kontenierëve, mos kryerja e pastrimit të territorit apo vendit të punës mbas mbarimit të aktivitetit për tregjet apo tregtarët ambulantë dhe parkimi i mjeteve para ose pranë pikave të grumbullimit të mbetjeve ose në hapësirat e manovrimit të mjeteve të pastrimit etj.
...