E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, importet bien me 35%, rënia më e madhe në 10 vjet

Nga Fitim Zekthi

Një e dhënë tjetër mjaft e rëndësishme për rënien e ekonomisë në Shqipëri dhe për atmosferën e zymtë është publikuar nga Instituti i Statistikave, INSTAT. Importet e vendit kanë rënë dhe importet që kanë rënë më ndjeshëm janë ato të materialeve të ndërtimit, makinerive, të ushqimeve etj., duke dëshmuar rënien e konsumit, rënien e punës e të investimeve dhe rënien në një nivel tjetër të fuqisë blerëse. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë për një rënie mesatare të importeve me rreth 35%, e cila është rënia më e madhe e importeve në vend gjatë gjithë dekadës së fundit. Vendi kishte njohur tkurrje të eksporteve që prej verës së shkuar, por importet megjithatë kishin vijuar të ishin në nivele të larta me gjithë një rënie shumë të lehtë. Muaji janar i këtij viti ka bërë plojë të vërtetë duke i ulur importet me rreth 35%, pak më shumë sesa një e treta e tyre krahasuar me muajin dhjetor.

Në artikujt që kanë pësuar ulje të madhe të importeve saktësisht vend kryesor zënë makineritë dhe pajisjet me 42,1%, çka do të thotë se biznesi nuk është duke menduar asfare më për të investuar. Importi i makinerive dhe i pajisjeve ka qenë një prej domethënieve më të mira në vitin 2006 dhe 2007, pasi ato vinin vetëm duke u rritur e kjo tregonte se biznesi investonte. Qeveria disa herë e ka përdorur këtë të dhënë si domethënie të faktit që ekonomia rritej. Tjetër zë i importeve që ka rënë ndjeshëm gjatë muajit janar krahasuar me dhjetorin është ai materialeve të ndërtimit, i cili ka rënë me 32% edhe kjo është rënia më e madhe gjatë dhjetë viteve të fundit. Është bërë e qartë se ndërtimi ka hyrë në një krizë të dukshme dhe rënia e importit të materialeve të ndërtimit thjesht e bën me të thekshme krizën. Instituti i Statistikave thotë se eksportet po ashtu janë në rënie edhe më të madhe. Ekonomia shqiptare tashmë është duke hyrë qartë në një periudhë të zymtë, ku biznesi nuk po investon, prodhimi po bie në të gjithë sektorët që prodhojnë (ata pak sektorë që prodhojnë), konsumi po ashtu është në rënie. E gjithë kjo do të vijë duke humbur vende pune. Pasojat e krizës ekonomike botërore janë shkaku bazë, por edhe struktura e dobët e ekonomisë shqiptare që e lejojnë këtë gjë. Ekonomia jonë është një ekonomi e varur plotësisht nga importi. Stabiliteti i sistemit bankar në vend nuk mund të mbrojë dot efektet e krizës ekonomike botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›