Bashkia e Tiranës rrit taksat e gjelbërimit dhe pastrimit, asnjë ndryshim në shërbime
Brenda tre vjetëve Bashkia e Tiranës ka rritur deri në 2.5 herë taksat vendore. Të gjithë qytetarët që u janë drejtuar zyrave të gjendjes civile për tu pajisur me dokumente, janë ndeshur edhe me pagesat e reja të taksave. Nga janari 2010 taksat e gjelbërimit dhe ajo e pastrimit kanë pësuar rritje nga 100 deri në 500 lekë të reja. Kështu tarifa e pastrimit të qytetit është rritur me 500 lekë të reja, ndërsa ajo e gjelbërimit me 100 lekë. Krahasuar me një vit më parë
tarifa e pastrimit ishte 4500 dhe u bë 5000 lekë, ndërsa tarifa e gjelbërimit ishte 400 dhe u bë 500 lekë. E thënë ndryshe një familje në Tiranë do të paguajë për të dy tarifat një shumë e cila arrin në 5500 lekë. Tarifat e reja janë afishuar pranë minibashkive në sportelet e së cilës paguhen. Por një familje paguan edhe taksën e pasurisë, bëhet fjalë për taksën mbi sipërfaqen e banesës, e cila për këtë vit ka mbetur e pandryshuar. Kjo është një nga taksat që vendorët kanë dështuar në mbledhjen e saj. Pra edhe këtë viti të ri, sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike mbarë botërore, qytetarëve të Tiranës, kategoria e familjarëve, por edhe subjektet e ndryshme private dhe tregtare, do të paguajnë për shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës më shumë para.
Ritja në vite
Gjendjet civile bllokojnë çdo lloj shërbimi për ata qytetarë që nuk kanë paguar taksat vendore. Në këtë mënyrë pagimi i tyre është i detyruar, në të kundërt nuk përfiton asnjë dokument zyrtar. Pavarësisht mundësive apo dëshirave për të paguar këto taksa, kryeqytetasve nuk u mbetet zgjidhje tjetër veçse ti paguajnë ato. Në të kundërt, jo vetëm se nuk mund të marrin dokumentet në gjendjet civile, por edhe sikur të shtyjnë pagimin për vitin tjetër do të ndeshen me tarifa më të larta dhe gjobë që vendoset nga bashkia. Kështu, taksa e gjelbërimit në vitin 2007 ishte me 200 lekë, në vitin 2008 paguhej me 300 lekë. Nga 2007-2008 qytetarët për këtë taksë paguan 100 lekë të reja më tepër. Xhepat e qytetarëve të Tiranës brenda këtyre tre viteve detyrohen të paguajnë të dyfishuar këtë taksë, për të vazhduar më tej rritjen në 2010 me 2.5 herë më shumë. Edhe për taksën e pastrimit pagesa do të jetë më e lartë. Nëse në vitin 2007 kryeqytetasit kanë paguar 2100 lekë, në 2008-ën ata paguan 3600 dhe këtë vit duhet të paguajnë 4500. Kështu, nga 2007-2008 rritja është bërë me 1500 lekë, ndërsa nga 2008-2009 rritja ka kapur vlerën e 900 lekëve dhe në 2010-ën do të paguhet 500 lekë më shtrenjtë, duke shkuar 5000 lekë. Paketa e taksave ka ndryshuar vetëm çmimet, pasi shërbimi mbetet i njëjtë. Nga kjo rritje vazhdojnë të mbeten të privilegjuar nga Bashkia e Tiranës vetëm disa kategori të cilat paguajnë më pak. Këtu përfshihen familjet në nevojë, të sëmurët para dhe tetraplegjikë, familje që janë me asistencë, pensionistët e vetmuar etj.
Taksat
Normalisht, taksat këtë vit janë ndryshuar edhe për të gjitha llojet e subjekteve tregtare, për tavolinat e bareve që zënë hapësirat publike etj. Por, për disa kategori familjarësh do të ketë lehtësira dhe si rezultat do të paguajnë më pak. Këtu përfshihen familjet në nevojë, të sëmurët para dhe tetraplegjikë, familje që janë me asistencë, pensionistët e vetmuar. Për taksën e ndërtesës ata do të paguajnë, për ndërtesat para vitit 1993, 10.5 lekë/m2, ndërsa për ndërtesat pas 1993, 21 lekë/m2. Një problem më vete është edhe mbledhja e taksave nga vendorët pasi shumë qytetarë nuk janë të rregullt me shlyerjen e tyre. Kësisoj rritja e taksave vit pas viti është parë edhe si një diskriminim për ata qytetarë që paguajnë gjithmonë taksat, pasi pjesa tjetër nuk e ndien rritjen e tyre meqë nuk paguan asnjëherë. Kjo gjë duket shumë qartë edhe në evidencat e Bashkisë së Tiranës për mbledhjen e tyre. Sipas statistikave, në dy vitet e fundit janë mbledhur vetëm 25 për qind e taksave, ku nga 11 njësitë bashkiake, numrin më të madh të familjeve që kanë paguar taksat e ka njësia nr. 4, me rreth 11 mijë familje, ndërsa numrin më të vogël e ka njësia nr. 10, me rreth 500 familje. Për të realizuar një përqindje më të madhe të mbledhjes së taksave vendore, minibashkitë përdorën certifikatat si një strategji për ndërgjegjësimin e qytetarëve. Nëse nuk paguan taksat nuk mund të kryesh asnjë shërbim në sektorin e gjendjes civile.
Liri Mëhalla