E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferraj:Pavarësia e Kosovës, një kthesë historike për kombin tonë

Në Ministrinë e Kulturës nisin aktivitetet për dy vjetorin e Kosovës së Pavarur

Kosova në 17 shkurt feston dy vjetorin pavarësisë e saj. Një pavarësi e kërkuar nga shqiptarët ndër shekuj. Për të festuar këtë përvjetor në vendin tonë nga Ministria e Kulturës janë planifikuar që të organizohen një sërë veprimtarish artistike dhe kulturore. Kështu dje festimeve për datën 17 shkurt, i parapriu promovimi i librit E drejta e Vetëvendosjes, Rasti i Kosovës me autor studiuesin e njohur Enver Bytyçi. Një libër studimor, i cili i kushtohet problemit

të Kosovës, ku autori pohon se ky libër u shkrua para se Kosova të merrte pavarësinë dhe shumë tematika kanë rezultuar si alternativë e zgjidhjes së kësaj çështje. Autori sjell në librin e tij të dhëna, dokumente, argumente e kundërargumente, të cilat përpiqen ti japin shpjegim pyetjes se a e meritojnë shqiptarët pavarësinë e Kosovës. Për ministrin e MTKRS Ferdinand Xhaferraj pavarësia e saj solli një epokë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sikurse theksohet edhe në libër pavarësia e Kosovës si akt, si proces, si përvojë historike unikale ka dimensione shumë më të mëdha. Para së gjithash, pavarësia e Kosovës është ngjarja më e madhe e shqiptarëve në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo shënon një epokë, një kthesë historike të pazakonte në zhvillimin e kombit. Në një dimension me të gjerë pavarësia e Kosovës, rrugëtimi i saj politik drejt pavarësisë, dhe procesi mbas pavarësisë, prodhojnë një model të ri të zgjidhjes së konflikteve dhe ndërtimit të suksesshëm të sigurisë mbas konfliktit, u shpreh ministri Xhaferraj. Më tej në vijim të këtij aktivitetit, ministri theksoi se ashtu siç përshkruhet dhe në libër, pavarësia e Kosovës ka pasur kosto njerëzore dhe materiale. Pavarësia ka pasur sakrifica njerëzore, dhe kosto materiale dhe nacionale. Prandaj në këtë dy vjetor nderimi më i madh u përket dëshmorëve të lirisë, u përket luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit të saj legjendar, Adem Jashari. Nderimi dhe lavdia u përket gjithashtu intelektualëve të shquar të Kosovës, liderëve politikë që udhëhoqën procesin e lirisë në njëzet viteve të fundit, vijoi ministri Xhaferraj. Ndërsa diplomati i njohur Mal Berisha bëri një përmbledhje të shkurtër mbi librin në fjalë. Ai tha se: Libri që ju, zoti Bytyçi, i keni dhënë në dorë lexuesit shqiptar, është një vlerë reale e shtuar në korpusin e madh bibliotekar të trajtimit të çështjes sonë kombëtare. Vetë autori i librit, studiuesi Enver Bytyçi shtoi se: Kur nisa të shkruaj këtë libër dhe kur e përfundova atë, pavarësia e Kosovës nuk kishte mbërritur. Por më vjen mirë që shumë parashikime të hedhura në këtë libër kanë rezultuar si alternativë e zgjidhjes. Shkrimi dhe botimi i këtij libri nuk ishte ndonjë përpjekje për të bërë hipokritin, përkundrazi, ishte një mision për ta rrënuar sa të ishte e mundur hipokrizinë. Nuk ishte një mundim për të shkatërruar falsitetin e historisë, ishte një përpjekje për të shkuar te e vërteta. I pranishëm dje në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i kosovar akredituar në Tiranë z.Gazmend Pulaj. Ndërkohë që nesër do të startojnë aktivitete të shumta kushtuar pavarësisë së Kosovës. Kështu në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jepet një koncert me këngë dhe valle popullore me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat shqiptare do të interpretohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore të Shqipërisë dhe nga artistët e Ansamblit Shota të Prishtinës. Në këtë koncert, ku do të mbizotërojë tradita kombëtare folklorike do të ngjiten në skenë emrat më të njohur të folklorit shqiptar. Vallja për Adem Jasharin, Vallja e shqipeve, Vallja e Bajram Currit, kënga Nanë u nisa për në çetë, janë disa nga pjesët e programit të koncertit. Veç AKKVP janë dhe një sërë institucionesh të tjera kulturore që kanë filluar përgatitjet për të festuar këtë datë të shënuar për kombin shqiptar, ku të gjitha aktivitetet do të kenë tematikë kombëtare. Ndërkohë që bëhet e ditur se në Prishtinë kjo ditë e shënuar do të festohet mes një atmosfere festive madhështore.

Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Hene, 15 Shkurt 2010 22:04

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›