Këtë vit, nis procesi i pajisjes me pasaportave biometrike në Kosovë
Ne besojmë se nga mesi i këtij viti, do të arrijmë ti lëshojmë pasaportat e para biometrike. Por, një gjë që duhet ta kemi parasysh, është të sigurohemi se i tërë procesi të jetë i sigurt dhe tërë këtë proces jemi duke e koordinuar dhe me Komisionin Evropian në Prishtinë. Do të kemi një ekip të Komisionit Evropian, i cili do të vijë dhe do të shikojë se sa janë bërë përgatitje për këtë proces, në mënyrë që pastaj të marrim edhe dritën e gjelbër edhe nga ana e Komisionit Evropian për lëshimin e pasaportave biometrike, ka deklaruar Rexhepi. Megjithatë, para këtij veprimi, sipas Rexhepit, ka ende shumë punë që duhet të kryhen edhe nga institucionet tjera. Në këtë drejtim ai ka bërë të ditur se kjo gjë varet dhe nga shpejtësia që do të arrihet të procedohet në qeveri, dhe në parlament përsa i përket legjislacionit, i cili duhet të miratohet. Po ashtu, një aspekt tjetër është se sa shpejt do të arrijmë ti pranojmë ndryshimet teknologjike, të cilat po bëhen në sistem. Ndërrimi i pasaportës do të bëhet pasi të jenë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme, theksoi ai. Në anën tjetër, njohës të integrimeve evropiane, janë shprehur skeptikë se Kosova do të mund të nisë prodhimin e pasaportave biometrike në mesin e këtij viti. Përveç pasaportave biometrike, në procesin e liberalizimit hyjnë edhe kriteret tjera, si: menaxhimi i integruar i kufijve, riatdhesimi, zbatimi i strategjisë për migracion, forcimi i sundimit të ligjit etj. Megjithatë, vetë zyrtarë të lartë evropianë kanë thënë se Kosova edhe nëse i përmbushë kriteret teknike, sërish do të ketë probleme politike, për shkak të mosnjohjes nga ana e pesë vendeve anëtare të BE. Për shkak të mosnjohjes, Kosova ende nuk i ka hapur zyrtarisht negociatat për liberalizim vizash. Autoritetet kanë miratuar një udhërrëfyes, të ngjashëm me vendet e rajonit, në mënyrë që ti kenë të përmbushura kriteret, atëherë kur të krijohen rrethanat për dialog për vizat me BE.
Last Updated on E Hene, 15 Shkurt 2010 22:37