E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës vendos taksë 49,000 lekë për të marrë letërnjoftimin



Çdokush që dëshiron të marrë kartën e identitetit, do të duhet të paguajë paraprakisht të gjitha taksat vendore të Tiranës, sipas zyrtarëve të bashkisë. Ndërkohë që krerët e opozitës kërkojnë karta falas, kryebashkiaku Rama ka vendosur që, për të marrë letërnjoftimin, duhet të paguash 49 mijë lekë, që janë taksat vendore.

Burime pranë njësive bashkiake pohojnë se me urdhër të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, asnjë kartë identiteti nuk merret nga kryeqytetasit pa paguar taksat vendore. Kësaj radhe njësitë bashkiake, pasi kanë përdorur për dy vjet radhazi certifikatat si rreng për të paguar taksat, kanë mësyrë letërnjoftimet, duke mbajtur peng shpërndarjen deri në pagimin e taksave bashkiake.

Pagesat

Kanë aplikuar për kartat e identitetit, por nuk mundin t’i tërheqin ato. Të shumtë kanë qenë qytetarët që pas aplikimit për kartë, pasi kanë shkuar për t’i tërhequr, nuk kanë mundur t’i marrin, sepse nuk kishin paguar taksat vendore. Për ta kjo është e papërballueshme, pasi Bashkia e Tiranës brenda tre vjetëve ka rritur këto taksa deri në 2.5 herë. Marrja e kartave bëhet e pamundur prej kryeqytetasve, pasi pagesat e reja të taksave kalojnë mundësitë e tyre financiare. Ata pohojnë se nga viti në vit po përballen me rritjen galoponte të këtyre taksave. Vetëm përgjatë këtyre tre vjetëve bashkia ka shtuar vleftën e pagesës së taksave deri në 2.5 herë më shumë. Ndërkohë, mësohet se rritja parashikohet që të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm. Në të gjitha njësitë vendore janë shpërndarë çmimet e paketës së re të taksave vendore. Në një fletë janë të afishuara çmimet që duhet të paguajnë kryeqytetasit për taksën e gjelbërimit, pastrimit dhe atë të ndërtesës.

Përjashtime

Nga paketa e taksave Bashkia e Tiranës ka përjashtuar vetëm disa kategori në nevojë. Kështu, përjashtohen nga detyrimet vendore paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbrit, invalidët e luftës etj. Ndërsa njerëzit që marrin ndihme ekonomike dhe pensionistët, do të paguajnë një tarifë modeste pastrimi, në vlerën 100 lekë në vit. Këto kategori duhet të paraqesin dokumentet përkatëse që e vërtetojnë se ata janë në nevojë ose kanë statuset përkatëse. Ndërsa për kartat e identitetit qeveria “Berisha” ka shtuar vlerën e rimbursimit për disa kategori, madje për para dhe tetraplegjikët, të verbrit dhe romët ato shpërndahen falas. Kështu, vlera e letërnjoftimit elektronik është 300 (treqind) lekë për pensionistët me pension minimal në qytet dhe të gjithë ata në fshat, të cilët kanë aplikuar dhe do të aplikojnë deri në datën 1 maj 2009. Për studentët, shtetasit që përfitojnë pagesë papunësia, si dhe për të gjithë ata që deri më datë 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar dhe do të aplikojnë deri në datën 1 maj 2009 vlera e letërnjoftimit elektronik është 200 (dyqind) lekë.

Taksat vendore të Bashkisë Tiranë

Taksat

2007 2008 2009

Gjelbërimi 200 lekë 300 lekë 400 lekë

Pastrimi 2100 lekë 3600 lekë 4500 lekë

Kartat e identitetit

Kartat e identitetit Pensionistët Studentët Para dhe tetraplegjikë, e të verbërit Romët Të tjerët

Çmimet 300 lekë 200 lekë Falas Falas 1,200 lekë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›