E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE: Akuzat e PS-së të pavërteta, reforma në energjetikë e suksesshme



Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar dje pas akuzave të Partisë Socialiste për zvarritjen e tenderave. Në njoftimin e METE-s thuhet se Partia Socialiste shtrembëron qëllimisht raportin e Avokatit të Prokurimeve, kur thotë se METE ka tejkaluar afatet kohore për dy projekte. “Kjo është gjysma e së vërtetës: Partia Socialiste nuk përmend faktin se këto janë 2 ndër 150 projekte, për të cilat METE po punon dhe asnjë shkelje nuk ka rezultuar për projektet e tjera, qoftë edhe thjesht në afate kohore. Në të vërtetë, këto dy projekte kanë pasur probleme për sa i takon ruajtjes së mjedisit dhe sigurimit të kanaleve të ujitjes. Ky është një fakt i cili vërteton se ne jemi seriozë dhe shumë profesionalë ndërsa trajtojmë projekte të tilla”, - thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në njoftimin e METE-s deklarohet se qëndrimi i opozitës shtrembëron me qëllim informacionin dhe raportin e Avokatit të Prokurimeve. “Është shumë ironik fakti se kjo kritikë vjen pikërisht nga ajo parti, e cila për tetë vjet rresht, jo vetëm nuk arriti të kryente qoftë edhe një investim të vetëm në impiante të prodhimit të energjisë, elektrike, por ato pak marrëveshje koncesionare që arriti të lidhte, dolën marrëveshje të dështuara, me problematikë të theksuar nga ana e transparencës e praktikave korruptive”, - thotë njoftimi. Sipas METE-s, e vërteta është se reforma në sektorin energjetik ka qenë një ndër reformat më të suksesshme të ndërmarra ndonjëherë: qeveria ka firmosur 50 kontrata për ndërtimin e 50 hidrocentraleve me fuqi 216 megavat dhe janë në shqyrtim negocimi projektet edhe për 103 hidrocentrale të tjera me fuqi mbi 1000 megavat. Ka firmosur kontratat për 3 parqe energjetike ere me një investim rreth dy miliardë euro. TEC-i i Vlorës që përfundon në maj të këtij viti; po ndërtohet hidrocentrali i Kalivaçit me një investim prej 130 milionë eurosh. Kemi firmosur kontratën për hidrocentralin e Ashtës, 140 milionë euro, gjatë këtij viti fillon ndërtimi. Kemi firmosur kontratat për ndërtimin e 3 hidrocentraleve në Kaskadën e Devollit, projekt prej një miliard euro, sot ky është projekti më i madh në Evropë.

Inflacioni në mars 2009 arrin 1.6 për qind

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin mars 2009 arriti 104.0 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.6 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin mars 2009 është 1.6 për qind. Një vit më parë inflacioni vjetor ishte 4.6 për qind, si rrjedhojë kryesisht e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në muajin mars 2008. Për periudhën mars 2008 – mars 2009 çmimi i energjisë elektrike nuk ka pësuar ndryshime. Ky mosndryshim çoi kryesisht në uljen e vlerës së inflacionit vjetor në muajin mars 2009 në vlerën 1.6 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 1.4 për qind, me një ndikim prej 0.5 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënuan nëngrupet “fruta” dhe “zarzavate”, përkatësisht 5.4 dhe 5.3 për qind. Gjatë muajit mars çmimet në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve shënuan ulje, ku mund të përmendim uljet në nëngrupet “vajra dhe yndyra”, 1.3 për qind; “qumësht, djathë e vezë” 0.3 për qind dhe “bukë e drithëra” 0.2 për qind. Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rritën me 0.4 për qind. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.3 për qind, me një ndikim prej - 0.02 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “transport” shënoi një rritje prej 0.8 për qind. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të naftës me 3.0 për qind, çmimit të benzinës me 0.6 për qind dhe rritjen e çmimit të transportit interurban me 1.0 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›