E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha romancat ruse nga Olga



I la mbresa Shqipëria herën e parë që e vizitoi këtë vend si turiste, ndërkohë zuri miqësi dhe me Atashenë Kulturore të Ambasadës Ruse në Tiranë. Pas kësaj vendosi të vijë edhe një herë të dytë në vendin tonë por këtë radhë me një koncert. Olga Mitrofanova, këngëtarja ruse, 24-vjeçare, e lindur në Voronezh, do të ngjitet sot në skenën e Akademisë së Artit më pjesë nga romancat më të mira ruse. Në këtë koncert, ajo do të shoqërohet nga pianistja shqiptare, Klejda Tare, e cila ka një repertor të pasur artistik.

Portreti i Olgës përputhet shumë me repertorin që ajo do të interpretojë. Ajo ka mbaruar studimet për piano si dhe shkollën e lartë të muzikës “Georg Ots” në Talin të Estonisë. Përveç këngës, Olga është edhe aktore teatri. Ajo aktualisht është aktorja kryesore e teatrit “Art-Grotesk” pranë qendrës së kulturës ruse.

Teper entuziaste, pak para koncertit, Mitrofanova na shprehu disa nga mendimet e saj:

Kur e kuptuat se mund të këndonit?

Kjo ndodhi shumë kohë më parë. Fillimisht, unë mbarova studimet për muzikë. Më vonë studiova piano dhe një ditë të bukur takova një profesoreshë muzike dhe të dyja filluam të diskutonim idenë për të kënduar. S’është se kisha çuar këtë ide nëpër mend më parë, por s’e kisha menduar seriozisht. Mora disa mësime dhe më pas u regjistrova në kolegjin e muzikës si këngëtare.

Sa kohë ke që këndon?

Rreth pesë vjet.

Si do ta përshkruanit zërin tuaj?

Nuk mundem ta përshkruaj. Vetëm se e ndjej përbrenda meje.

Cilët këngëtarë janë muza juaj?

E preferuara ime është këngëtarja italiane, Çiçilja Bartoldi.

Dhe vepra juaj muzikore më e preferuar?

Pyetje shumë e vështirë, sepse ka kaq shumë në mendjen time. Por do të veçoja veprat e kompozitorit rus, Rahmaninov.

A mund të na thuash diçka nga koncerti që do të japësh sot në Akademinë e Arteve?

Vendosa të mbledh në një buqetë të madhe disa nga romancat ruse. Ato do të jenë romanca të vjetra, moderne, me një fjalë një miks romancash.

Kush është kënaqësia më e madhe që merr nga puna që bën?

Është procesi, perfeksionimi i vetes sime ajo që më pëlqen më shumë dhe më shtyn të eci para.

Kush është roli që ju ka pëlqyer më shumë?

Fakti është se unë jam edhe aktore. Përveçse jam një këngëtare, unë jam edhe një aktore teatri. Shpesh marr pjesë në (musicals) shfaqje muzikore. Dhe roli im i preferuar është ai i Esmeraldës në një nga këto shfaqje muzikore. Më pëlqen kjo gjë sepse në këtë mënyrë kam mundësinë të shfaq aftësitë e mia. Gjithashtu edhe mund të kërcej.

A keni ndonjë projekt në dorë për momentin?

Aktualisht po përgatitem për një shfaqje muzikore të titulluar “Marshi i Kristianëve”. Dhe kam rolin kryesor në të.

Kush është objektivi juaj në një të ardhme jo shumë të largët? Ku e sheh veten?

Ndoshta e shoh veten të studioj në ndonjë nga shkollat më të mira të muzikës në Itali. Megjithëse edhe mund të aktroj, e shoh veten shumë më afër këndimit. Kjo është ajo që më pëlqen të bëj.

Si mendon se do t’ju presë publiku shqiptar sot?

Shpresoj ta pëlqejnë muzikën ruse, romancat tradicionale ruse dhe i ftoj të gjithë publikun shqiptar që të vi ta ndjejë dhe ta shijojë vetë këtë zhanër muzikor.

Bisedoi: R. Hoxha

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›