E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Bashkia e Vlorës do të jetë një institucion i pagjumësisë”, Rama thirrje të rinjve: Aplikoni për pozicionet drejtuese, asnjë rikthim i të vjetërve

Kryeministri Edi Rama ka dhënë urdhër të prerë nga Vlora se asnjë prej drejtorëve të dorëhequr nga kjo Bashki nuk do të ripunësohet në pozicione drejtuese, ndërsa ka kërkuar shkarkimin e të gjithë atyre që ende nuk janë dorëhequr edhe pasi janë konsideruar të papërshtatshëm për atë detyrë.

Në një deklaratë nga Pallati i Kulturës në Vlorë, Rama u bëri thirrje të rinjve e të rejave të qytetit që të aplikojnë për pozicionet vakante që do të shpallen së shpejti nga Bashkia.

“Secilit mund t’i jepen mundësi të reja në të ardhmen, por i ftoj të gjithë në Vlorë që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e Bashkisë së Vlorës, duke i siguruar se ne do të jemi shumë rigorozë në funksion të meritës. Secili e secila sipas meritës, profesionit e sipas vullnetit që do të shprehë në këtë proces.

Disa janë dorëhequr, dhe asnjë person që ka mbuluar pozicione drejtuese në qarkun Vlorë, nuk do rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do jenë të rinj”, tha Rama, ndërsa një thirrje të veçantë e orientoi drejt pedagogëve të Universitetit të Vlorës, të cilëve u kërkoi të japin kontributin e tyre duke konkurruar për rolet drejtuese në institucionet qendrore.

“Vlerësimi pastaj bëhet sipas performancës së secilit. Procesi i përzgjedhjes do jetë transparent, konkurrues e meritokratik. Ata që kanë studiuar në Tiranë, Vlorë e jashtë vendit janë të dëshiruar për të shërbyer për administratën e shtetit apo atë vendore të Vlorës e ndërkohë punojnë kamerierë apo me punë të tjera, të vijnë e të provojnë veten në konkurset që do organizohen shumë shpejt. Bashkia do konfirmojë dorëheqjet dhe do hapë garat.

E njëjta gjë ndodh dhe me institucionet qendrore kështu që të gjithë janë të mirëpritur të përfaqësojnë ambicien e të shprehin dëshirën duke aplikuar”, u shpreh ai.

Një tjetër fokus në fjalën e Ramës, ishte dhe lirimi i hapësirave publike. Kryeministri u shpreh se aksioni për lirimin e këtyre hapësirave që shfrytëzohen nga privat, kryesisht në zonën e Lungomares, janë masë e domosdoshme për të harmonizuar interesat e bizneset dhe qytetarëve.

“Nuk ka asnjë tendencë për ti ngushtuar frymëmarrjen bizneseve por ka një domosdoshmëri për të harmonizuar plotësisht interesat e të dyja palëve me prioritet qytetarët që ecin në këmbë. Lungomarja e cila u bë motor i transformimit urban, por edhe të një transformimi të ekonomisë vendore, duhet të kalojë tani në një nivel tjetër të paraqitjes por edhe të shërbimit. Kioskëzimi i trotuarit është i papranueshëm dhe pasi është çliruar plotësisht trotuari i dedikuar vetëm këmbësorëve, do tu jepet të gjithë njësive të shërbimit në Lungomare një dizajn i ri, shpresoj ta kemi gati në shtator-tetor, pasi kemi filluar ta punojmë me qëllimin për të harmonizuar nevojën dhe interesin e tyre për të pasur një shërbim të mjaftueshëm me nevojën e qytetit për të pasur një dukje sa më spektakolare”, u shpreh Rama.

Një kapitull të ri paralajmëroi kryeministri edhe për Partinë Socialiste të Vlorës. Rama bëri me dije se dy bashkëkryetarë të rinj janë komanduar nga grupi i 11 maji.

“Janë komanduar dy bashkëkryetarë të rinj Erjona dhe Klevisi. Të gjithë kryetarët e organizatave do vlerësohen sipas performancës së tyre më 11 maj. Partia do hapet totalisht për të sjellë prurje të reja dhe do krijojë edhe grupet qytetare që do t’i bashkohen pa pasur detyrimin e anëtarësimit në PS”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›