Nafta, Gazprom parashikon çmimin 250$
Monopoli rus i naftës dhe gazit, Gazprom, parashikon që çmimi i naftës të arrijë 250$ për barrel në vitin 2009.
Çmimi i naftës është rritur me 16.24$ në më pak se 36 orë duke arritur rekord prej 139.12$ në fund të javës së kaluar.
Alexey Miller, shefi i Gazprom tha se: “Ne jemi dëshmitarë të një ndryshimi të madh në hidrokarbure, çmimi është shumë i lartë dhe me këto ritme ne parashikojmë që ai të arrijë në nivelin 250 dollarë për barrel brenda një kohe të shkurtër”.
Ky parashikim është shumë më i lartë se ai i bërë nga analistët, të cilët kanë parashikuar që çmimi i naftës në vitin 2009 të jetë midis 100$ dhe 200$ për barrel.
Në raportin e saj mujor për tregun e naftës, IEA tha se: “oferta e naftës këtë vit ka qenë e pakët dhe çmimet e larta kanë si synim uljen e kërkesës me qëllim balancimin e tregut”.
“Është rasti kur oferta dhe kërkesa ecin me kahe të kundërta dhe kjo gjë çon detyrimisht në rritje çmimesh”- tha IEA.
Agjencia tha se çdo ditë ka shenja për ulje të kërkesës, veçanërisht në sektorë të tillë si avionët. Ndërkohë ka edhe vende në të cilat kërkesa nuk varet fare nga çmimi dhe në përgjithësi këto janë vendet e zhvilluara.
“Në mbarë botën, çmimet e larta të naftës po ndikojnë në presionet inflacioniste” – thuhet në raportin e IEA-s. Agjencia paralajmëroi se çmimet e naftës po ‘godasin rritjen ekonomike në mbarë botën”.
Paralajmërimet e IEA-s janë komentuar edhe nga shefi i BP-së, Tony Hayward, i cili tha se oferta dhe kërkesa nuk janë në balancë, përndryshe çmimet duhej të ishin stabël.
“Kur çmimet janë të larta, kjo do të thotë se oferta nuk i përgjigjet në mënyrë adekuate kërkesës në rritje... dhe kjo është situata ku ne ndodhemi sot” – tha Hayward.