E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, heqje licence për operatorët që rritin çmimin e biletave

24/01/2012   Transporti publik, kërcënimi i shoqatës: Nga 1 shkurti bileta e urbanit do të shkojë 50 ose 70 lekë

Pavarësisht pretendimeve të ngritura nga shoqata e transportit publik për një rritje të mundshme të çmimit të biletave dhe aboneve, Bashkia e Tiranës ka paralajmëruar operatorët se nuk do të lejojë një gjë të tillë. Zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha, pas spekulimeve për dyfishimin e çmimit të biletave ka komunikuar dje se nuk do të lejohet asnjë rritje arbitrare dhe e paargumentuar e kostos së biletave për urbanët publikë. Operatorët që nuk do të respektojnë këtë vendim, do të përballen me penalizime deri në bllokimin e licensës. “Ditët e fundit kanë vazhduar në medie spekulimet lidhur me çmimin e biletës për linjat urbane të qytetit të Tiranës. Bashkia bën me dije se për linjat urbane të qytetit nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë rritje të çmimit të biletës në mënyrë arbitrare. Asnjë operator që operon në linjat urbane nuk mund të ndryshojë çmimin e biletës në mënyrë të njëanshme. Çdo vendim i tillë do të çojë në marrjen e masave penalizuese deri në anulimin e kontratës së operatorit”, - ka deklaruar Bisha. Prej disa ditësh shoqëria e transportit urban kanë lajmëruar qytetarët se duke filluar nga data 1 shkurt për një biletë urbani do të paguajnë 50 ose 70 lekë, propozim ky që deri më sot nuk ka mbërritur ende në dyert e Bashkisë. Më tej ekspertët e Bashkisë bëjnë me dije se kërkesa e bërë nga shoqata e transportit për rritjen e çmimit të biletave nuk mund të bëhet e hamendësuar, siç kërkojnë ata, pasi më parë duhet të kryhet një studim në terren nga ekspertë të pavarur, të cilët do të konfirmojnë nëse ka vend për një rritje çmimi. Ky studim do të verifikojë kushtet dhe infrastrukturën në të cilat veprojnë linjat e transportit publik në kryeqytet dhe në rast se këto të fundit plotësojnë parametrat e caktuara, mund të aplikohet për rritje. Gjatë ditës së djeshme drejtues të shoqërisë së transportit urban kanë konfirmuar se edhe ata po kryejnë një studim në lidhje me koston e transportit publik, nga ku do të merret dhe vendimi se sa do të rritet çmimi i biletës. Me nxjerrjen e të dhënave nga ky studim mbi kostotn infrastrukturën si dhe mossubvecionimi i atyre që udhëtojnë falas, do të shoqërohet me një kërkesë zyrtare që shoqatat e transportit publik do t’i dorëzojnë Bashkisë. Lidhur me këtë çështje pak ditë më parë vetë kryebashkiaku Lulzim Basha pati deklaruar se nuk do të bëjë pazar me çmimin e vendosur nga shoqëritë dhe se çmimi i biletave do të ndryshojë vetëm nëse studimi do të bëhet nga ekspertë të pavarur dhe jo nga shoqata.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›