E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, hetim për shpifje ndaj ministrit Prifti

Prokurorisë i kërkohet edhe hetimi i 10 personave që bashkia e Tiranës ka paditur për shpifje

Bashkia e Tiranës ka përgatitur padinë ndaj ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Deklarata është bërë dje, pikërisht përpara Prokurorisë së Tiranës, nga zëdhënësi për shtyp i Bashkisë së kryeqytetit, Florian Serjani. Ai bëri të ditur dje se institucioni që ai përfaqëson ka përgatitur një listë me kallëzime penale, ku theksoi se listës së padive të bëra në adresë të përfaqësuesve të mazhorancës i shtohet sot edhe padia për shpifje ndaj Priftit.


Kësaj liste, gjatë të kallëzimeve penale që Bashkia e Tiranës ka depozituar në prokuroi, tashmë do t'i shtohet edhe një tjetër kallëzim, ai kundrejt ministrit Prifti. "Politika e vjetër e përbaltjes nuk mund të sundojë mbi ligjin.


Qytetarët duhet të dinë të vërtetën për çdo funksionar të shtetit", tha Serjani teksa ndodhej para Prokurorisë së Rrethit të Tiranës. Në emër të Bashkisë, ai kërkoi nga prokuroria hetim për kallëzimet penale ndaj Kryeministrit Sali Berisha, Ministrit Sokol Olldashi, Aldo Bumçit, Gert Bogdanit, Ferdinant Ponit, Florion Mimës, Lajla Përnaskës, Sait Dollapit dhe Erla Mëhillit.


Partia Socialiste nga ana tjetër ka akuzuar Priftin se është pasuruar falë korrupsionit dhe i ka kërkuar këto ditë prokurorisë me deklarata publike të hetojë rreth mënyrës sesi është pasuruar Ministri.


Ndërkohë, Ministri Prifti nga ana e tij ka hedhur poshtë akuzat dhe ka theksuar se deklarimin real të pasurisë e ka bërë në institucionet që duhet dhe se ka vepruar gjithë kohën korrekt me ligjin.


Gjatë muajit dhjetor 2009, Bashkia e Tiranës ka paditur brenda një jave, Kryeministrin Sali Berisha, Partinë Demokratike dhe Ministrin Sokol Olldashi. Objekt i kallëzimit ndaj kryeministrit dhe partisë që ai drejton ishte prishja e imazhit të Bashkisë, nga sulmet e tij, si dhe strukturave të tjera që janë në varësi të pushtetit ekzekutiv. Ndërsa ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, është paditur për shpifje të qëllimshme ndaj shitjes së tokës tek kompleksi "Tajvan".


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›