Vrasja e biznesmenit, dy në pranga

DURRËS/ Fatjon Krasniqi e Shefqet Spahiu që shoqëronin autorin e krimit natën e vrasjes janë arrestuar
Policia u shpreh se Shpëtim Mema është larguar nga vendngjarja me makinën e të ndaluarve
Policia e Durrësit ka filluar arrestimet e personave të kërkuar lidhur me vrasjen e biznesmenit Agim Seci. Pas largimit të autorit nga vendngjarja ku kishte ndodhur krimi i vrasjes, policia ka bërë shumë shoqërime dhe specialistët kanë mbledhur dëshmitë e nevojshme lidhur me zbardhjen dhe dokumentimin e vrasjes së Secit. Pasi janë identifikuar personat që ndodheshin në të njëjtën tavolinë me Memën dhe targat e makinave që ata kishin me vete atë natë, ka filluar edhe kërkimi i tyre.
Rreth orës 15:00 të së mërkurës në pranga kanë përfunduar dy prej tyre. Sipas burimeve policore është arritur që të saktësohen se ku ndodhen dhe të arrestohen personat që ishin ulur në tavolinë me Shpëtim Memën kur ka ndodhur konflikti dhe më pas vrasja e pronarit të lokalit. Nga burime policore mësohet se Fatjon Krasniqi, 18 vjeç, dhe Shefqet Spahiu, 31 vjeç, që të dy banues të Pjezë, por me origjinë nga Kukësi, janë arrestuar për kryerjen e veprës penale të "moskallëzimit të krimit".
Policia ka bërë të ditur se këta shtetas pas vrasjes e kanë parë autorin Shpëtim Mema të marrë arratinë me makinën e tyre, dhe me pas janë larguar gjithashtu nga vendngjarja duke përdorur makinën e Memës. Mësohet se të tre këta shtetas ishin ulur në një tavolinë për të dëfryer në lokalin bregdetar. Ndërkohë policia ka ushtruar një serë kontrollesh në rrethinat e fshatit Pjezë dhe Shijak në kërkim të Shpëtim Memës, autorit të dyshuar të vrasjes së Agim Secit.
Burimet zyrtare të policisë deklaruan se autor i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Shpëtim Teki Mema, i datëlindjes 22.10.1975, lindur e banues në fshatin Pjezë, komuna Xhafzotaj Shijak Durrës, i cili pas një konflikti për motive të dobëta (humbje celulari në lokalin e shtetasit Agim Seci), e ka qëlluar atë me armë gjahu të tipit Shotgan dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin tip "Volvo" ngjyrë e zezë me targa AK 840.
Policia thotë se rreth kësaj ngjarjeje "materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale të "vrasjes me dashje" dhe "prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve të gjahut". Për personin që do të japë informacion për vendndodhjen e autorit të krimit janë vënë në dispozicion 500 000 lekë të reja.