E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia internet falas në sheshet e kryeqytetit

TIRANË- Banorët e sheshit “Shtraus” në kryeqytet do të kenë mundësi të shfrytëzojnë falas përdorimin e internetit. Kjo falë projektit të bashkisë së Tiranës "Wireless for U". Zona e Xhamllikut në kryeqytet, do të bëhet pjesë e kësaj nisme, si një tjetër hapësirë e rikonstruktuar publike, të cilën Bashkia e Tiranës ka menduar ta verë në dispozicion të komunitetit, me qëllim përdorimin e Internetit në oraret e pasdites, duke favorizuar shoqërizimin, krijimin e hapësirave miqësore dhe përdorimin e teknologjisë së komunikimit.

Kreu i bashkisë Edi Rama i pranishëm në këtë përurim, u shpreh se, së shpejti ky projekt do të jetë i prekshëm edhe për komunitete të tjera. "Nuk ka si të mos jem i kënaqur kur shoh këtë hapësirë deri dje të degraduar dhe sot të kthyer në një hapësirë publike, ku kanë ardhur dritat e festave, ku ka ardhur Pema e Vitit të Ri dhe ku ka ardhur edhe një tjetër hapësirë e projektit tonë të Wreless-it, u shpreh kryebashkiaku Rama.

Projekti "Wireless for U" ka për qëllim ofrimin falas të shërbimit të Internetit - Wireless në disa nga sheshet, parqet dhe lulishtet e qytetit, të cilat janë vënë në dispozicion të komunitetit, si hapësira ku mjaft qytetarë kalojnë qetësisht kohën e tyre të lirë, por që tashmë do të kryejnë edhe një funksion tjetër.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›