E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, ja plani i ri i qarkullimit në shesh

Kryetari i Bashkisë prezanton fazën e dytë të projektit. Ka të bëjë me rregullimin e trafikut gjatë kohës së punimeve



Rama: Nuk ka asnjë arsye përse rikonstruktimi i sheshit "Skënderbej" duhet të bëhet pjesë e një polemike të ditës


Bashkia e Tiranës ka prezantuar dje fazën e dytë të punimeve në sheshin "Skënderbej", gjatë të cilës do të kufizohet trafiku. Për të evituar kaosin në qarkullim gjatë kohës që në shesh kryhen punime, Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbyllë gradualisht trafikun në disa segmente rrugore.


Fillimisht do të mbyllet kalimi në një pjesë të rrugës së "Kavajës", që kalon para Bankës së Shqipërisë. Me tej, në një moment të dytë do të mbyllet pjesa e sheshit, në zonën midis lulishtes përpara Bankës së Shqipërisë dhe Monumentit të Skënderbeut. Po kështu kufizime do të ketë edhe në lëvizjen e automjeteve, para Pallatit të Kulturës dhe para Muzeut Kombëtar.


Sipas kreut të bashkisë, kjo fazë e punës në shesh do të kërkojë edhe mbështetjen e qytetarëve të Tiranës, por sidomos mbështetjen e policisë rrugore. "Është një ndryshim që do të ndodhë pjesë-pjesë, në koordinim të plotë me Policinë Rrugore, e cila ka të gjithë eksperiencën por edhe disponibilitetin për të garantuar këtë proces", u shpreh


Rama, duke theksuar se kjo është një sfidë të përbashkët e bashkisë dhe qytetarëve, pasi do të duhet që bashkërisht të menaxhojnë trafikun rreth dhe përmes sheshit. Pjesë e planit të ri të qarkullimit të hartuar nga bashkia e Tiranës, është funksionimi i pjesës perëndimore të unazës së vogël.


Kjo do të thotë që në segmentin prapa Muzeut Kombëtar automjetet do të qarkullojnë vetëm në një drejtim. Po kështu do ta hapet trafiku për automjetet në Urën e Re, që gjendet në hyrje të rrugës "Dëshmorët e 4 Shkurtit", ndërkohë që në këtë rrugë qarkullimi nuk do të bëhet më vetëm me një drejtim por automjetet do të kenë mundësinë në lëvizin në të dyja kahet.


Pjesë e kësaj faze të dytë të projektit, është edhe heqja e parkimeve në disa rrugë kryesore të kryeqytetit. Në rrugën "Mine Peza" parkimet do të hiqen në të dy kahet, ndërsa në rrugët "Dëshmorët e katër shkurtit" parkimet do të hiqen vetëm në një krah. Reduktime të vendparkimeve do të ketë edhe në rrugën "Abdi Toptani", në rrugën pas Pallatit të Kulturës, si dhe në rrugën midis Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së.


Por, sipas Ramës, puna më e vështirë dhe më e ndërlikuar është përgatitja e infrastrukturës nëntokësore, e hapjes së galerive të shërbimeve të të gjitha rrjeteve të nëntokës dhe njëkohësisht e krijimit të bazës së domosdoshme, për të pasur nesër gati pjesën arkitektonike dhe artistike.


"Unë dua të vë theksin tek nevoja e bashkëpunimit me qytetarët, tek nevoja e pjesëmarrjes së të gjithëve në këtë projekt, përmes një këmbënguljeje dhe durimi që është i domosdoshëm në këtë fazë", theksoi ai.


Gjatë prezantimit të djeshëm, kreu i Bashkisë ju përgjigj edhe deklaratave të pak ditëve më parë të kryeministrit Sali Berisha, për respektimin e sugjerimeve të Institutit të Monumenteve të Kulturës.


"Ndërtimi që ne kemi filluar, ndërtimi i sheshit, duke marrë në konsideratë rëndësinë historike dhe duke vlerësuar aspektin tradicional, por edhe duke sjellë tashmë këtë shesh në shekullin e ri, është ndërtimi i një vepre, e cila nuk ka asnjë arsye të bëhet pjesë e një polemike të ditës që fillon me ditën dhe mbaron me ditën", përfundoi ai.


Segmentet rrugore që do të mbyllen për trafikun


1. Vazhdimi i rrugës së "Kavajës" para Bankës së Shqipërisë.
2. Pjesa kaluese e sheshit, në zonën midis lulishtes përpara Bankës së Shqipërisë dhe Monumentit të Skënderbeut.
3. Kufizimi i lëvizjes së automjeteve, në kalimin para Pallatit të Kulturës.
4. Kufizimi i lëvizjes së automjeteve, në kalimin para Muzeut Kombëtar.


Faza e dytë, ndryshimet në trafik


1. Do të nisë funksionimi i pjesës perëndimore të Unazës së Vogël, (segmenti pas Muzeut Kombëtar), me një drejtim lëvizje, duke siguruar rrjedhshmërinë e qarkullimit të automjeteve
2. Do të hapet trafiku për automjetet në Urën e Re, në hyrje të rrugës "Dëshmorët e 4 Shkurtit"
3. Do të ndryshohet drejtimi i lëvizjes në rrugën "Qemal Stafa" (rruga "Dëshmorët e 4 Shkurtit" do të bëhet me dy drejtime lëvizjeje)
4. Do të hiqen parkimet në rrugën "Mine Peza", nga të dy krahët
5. Do të hiqen e parkimet në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit" në një krah
6. Do të hiqen parkimet në rrugën "Abdi Toptani"
7. Do të reduktohen parkimet, në rrugën midis Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së.

Reagimi


Sokol Dervishi : Plani nuk është miratuar në KRRTRSH


Kryetari i Këshillit bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishi, njëkohësisht edhe përfaqësues i LSI-së, deklaroi pak pas prezantimit të fazës së dytë të punimeve në sheshin "Skënderbej" se plani i Bashkisë së Tiranës nuk është miratuar në KRRTRSH. "Pa dyshim që për vendime të tilla duhet marrë miratimi i të gjitha instancave përkatëse, ku edhe KRRTRSH, në bazë të ligjit për urbanistiken, ka rolin e tij.


Ky shesh po ndërtohet me një donacion bujar të qeverise kuvajtiane dhe politizimi i skajshëm dhe mosrespektimi i procedurave nuk dëmton thjesht punimet në shesh, por dhe një raport shumë më të rëndësishëm që është raporti me donatorët", u shpreh Dervishi. Sipas tij, përgjegjësitë ligjore të qeverisë dhe bashkisë për rikonstruksionin e sheshit janë të ndara me ligj, ndaj punimet nuk duhet të bllokohen.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›