E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi, edhe një verë pa kinema

Kinemaja ndoshta do të ishte burimi i patjetërsueshëm që do ti sillte të ardhura të mira jo vetëm bashkisë, por edhe ndonjë investitori privat në Durrës. Kjo pasi në sezonin veror, ky qytet shkon në mbi 550 mijë banorë në ditë të zakonshme dhe në mbi 800 mijë në fundjavë. Banorët e qytetit bregdetar e kanë harruar fjalën kinema që prej 20 vitesh, ndërkohë që çdo kryetar bashkie, ka premtuar ngritjen e saj. Durrësi është i vetmi ndër qytetet kryesore të vendit tonë që nuk ka një kinema. Tirana, Shkodra, Elbasani, Korça, Vlora e të tjera qytete të mëdha të vendit e kanë nga një të tillë, ndërkohë që në Durrës mungojnë nismat për ndërtimin e një qendre kulture, në të cilën të bëjë pjesë edhe një sallë moderne kinemaje. Gjatë 20 vjetëve të fundit është bërë vetëm një tentativë për hapjen e një kinemaje, e cila u transformua në një bingo e më pas nuk është provuar asnjë tentativë tjetër për një objekt të tillë. Qejflinjtë e ekranit të madh në Durrës nuk mungojnë. Por ata marrin rrugët e Tiranës për të parë filma. "Ka ardhur koha që në Durrës të merren nisma për ndërtimin e një kinemaje moderne me disa salla të përmasave të ndryshme si në Tiranë. Është e pafalshme që një qytet që ka popullsinë më të madhe pas kryeqytetit, të mos ketë një kinema", - shprehen banorët e Durrësit. Ata pohojnë se drejtuesit e pushtetit vendor duhet të marrin masa urgjente për zgjidhjen e një problemi të tillë, duke mundësuar ndërtimin e një kinemaje si dhe të marrin përsipër menaxhimin dhe sigurinë e mjediseve të saj. Mësohet se ka mjaft fëmijë në Durrës që nuk kanë parë kurrë film në kinema për shkak të mungesës së saj. Përpara vitit 1990, në Durrës funksiononin 3 kinema të mbyllura dhe 3 kinema verore. Artur Ajazi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›