E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erzeni, burim i ri për ujin e pijshëm

Specialistët e Ujësjellësit në Durrës duket se i kanë kthyer sytë drejt burimit më të vjetër shekullor, të lumit Erzen, për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të qytetit të Durrësit dhe të Plazhit. Prej disa muajsh ka lindur ideja dhe është menduar për hartimin e strategjisë që do të sigurojë ujë të bollshëm për familjet e durrsake si dhe të zonave rreth tij. Tashmë kur stina e nxehtë po troket, specialistët e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit po mendojnë ti japin një zgjidhje problemit më të mprehtë të Durrësit, atë të furnizimit me ujë të pijshëm. Vera e kaluar nxori në pah probleme të mëdha për sa i përket furnizimit me ujë të qytetit, rrethinave të tij, zonës së Plazhit dhe asaj të ish-Kënetës. Banorët e këtyre zonave po e siguronin ujin si të munden, nëpër çezma kolektive apo duke vënë në punë elektropompa portative, të cilat i montojnë përgjatë tubave të ujit. Ndërsa, plazhistët janë detyruar që ta blejnë ujin me autobote. Burime zyrtare nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës bëjnë me dije për standard se, specialistë të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kanë nisur të mendojnë për hartimin e strategjisë së furnizimit me ujë të Durrësit. Për këtë qëllim, ata kanë menduar të shfrytëzojnë ujin e lumit Erzen, i cili shumë vjet më parë furnizonte një pjesë të Durrësit nëpërmjet impiantit të ndërtuar që në kohën e Italisë në vitin 1942. Për zbatimin e kësaj ideje është ngritur një grup pune, i cili do të merret me projektin e Erzenit. Mësohet se projekti do të kushtojë 80 milionë dollarë dhe do të përfshijë ndërtimin e një dige për grumbullimin e ujit; impiantet e pastrimit të tij; elektropompat për ta vënë në lëvizje si dhe rrjetin e tubacioneve të shpërndarjes. Për hartimin e projektit do të shpallet tenderi përkatës. Edhe pas ndërtimit të ujësjellësit të Erzenit, një pjesë e nevojave të banorëve të Durrësit do të vazhdojë të plotësohet nga burimi i Fushë-Kuqes. Me ujin e Erzenit mendohet të plotësohen nevojat e zonës periferike të Durrësit; të banorëve të kodrave; të disa fshatrave pranë tij, të Plazhit dhe të zonës së Plepave. Projekti pothuajse është gati, kurse specialistët e Ujësjellësit sqarojnë shkakun e përzgjedhjes së lumit Erzen për të zgjidhur këtë nevojë jetike për 100 mijë banorë. Sipas tyre Ai është një burim që ndodhet fare pranë Durrësit dhe nuk ka nevojë për shtrirje tubacionesh, sikurse ngjet me burimin në Fushë-Kuqe, i cili është 45 kilometra larg.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›