Bashkia konfirmon si drejtor lejesh ndërtimi arkitektin e kompleksit të Bashës mbi det
Në një takim të organizuar nga Bashkia e Tiranës me qëllim nisjen e punës për hartimin e planit të ri urbanistik, është promovuar edhe drejtori i Kontrollit të Zhvillimit Urbanistik, Renato Barbullushi. Ky i fundit është arkitekti i kompleksit që po ndërton Lulzim Basha mbi det në Vlorë, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe çdo normë ndërtimore. Basha ka premtuar në këtë takim se brenda 10 muajsh do ketë një plan urbanistik për kryeqytetin. Ky plan synon të zgjidhë konfliktin artificial mes qytetit dhe qytetarëve, të zgjidhë problemin e rritjes demografike, problemin e trafikut dhe të grackave të tjera me të cilat hasen qytetarët e Tiranës cdo ditë. Plani do të balancojë interesat private me apo publike, dhe do të bëhet në bashkëpunim të gjërë dhe do të gjejë konsensus maksimal. Procesi do të jetë transparent dhe larg rrjetit të interesave klienteliste, tha Basha, që vijon të shfaqet në publik me krahun e thyer. Por modeli që do u ofrojë Basha qytetarëve është ai i pallatit të tij në Vlorë, ndërtuar në kundërshtim me çdo normë ligjore e urbanistike. Fakti që Barbullushi është pjesë e ekipit të Bashkisë dhe do kujdeset për lejet e ndërtimit është tregues se si do veprojë Basha me Tiranën.
Në takimin në fjalë kanë qenë të pranishëm kryesisht disa persona nga e ashtuquajtura Iniciativa për Tiranën si Henri Çili dhe Kujtim Çashku, që kanë përshëndetur iniciativën e Bashës.
Emërimet e rëndësishme në Bashki nga ana e Bashës kanë qenë një skandal. Të gjitha emërimet e Bashës kanë qenë të tilla që kur kunati i tij mori detyrën e rëndësishme të sekserit në bashki ditën e betimit të Bashës. Në krye të policisë bashkiake u vendos Florenc Hoxha, një njeri i akuzuar nga Këshilli i Europës se kishte masakruar protestuesit e 21 janarit dhe që u përfshi së fundmi një tjetër skandali pasi dhunoi dy punonjëse të tatimeve. Si drejtoreshë e personelit u vendos Lindita Dedgjoni, e cilat njihet me emrin tezja për shkak se e ka ndjekur kudo pas në detyrat e tij Bashën sepse është vajza e tezes së gruas. Ndërsa drejtoreshë operative tek tatimet është vendosur motra e shoferit të kunatit të Lulzim Bashës.