Integrimi në BE, kryediplomati italian Fratini dhe ai grek Lambrinidis, vizitë në Shqipëri

Ndërsa tre ditë më parë, Kuvendi nisi punimet, në fokus është rikthyer dialogu politik, kjo jo vetëm ndërmjet palëve, opozitë - mazhorancë, por duke marrë dhe vëmendjen e kryediplomatëve të Bashkimit Evropian, ministrit të Jashtëm italian Franko Fratini dhe atij grek Stavros Lambrinidis. Kreu i diplomacisë italiane, ministri i Jashtëm grek do të vizitojnë Shqipërinë në datën 12 shtator. Kjo vizitë, ka si motivacion, dialogun politik si dhe inkurajimin e forcave politike për realizimin e 12 rekomandimeve të Brukselit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërkombëtarët kanë përsëritur në vazhdimësi thirrjen për dialog politik mes palëve, pasi bashkëpunimi është i rëndësishëm për reformat integruese. Mesazhi që pritet nga dy kryediplomatët e vendeve fqinje është ai i plotësimit të kushteve të BE, me qëllim realizimin e interesave mbarëkombëtare të qytetarëve shqiptarë.
Bregu: “Kontributi i munguar i opozitës ka dëmtuar kriterin politik, një nga kriteret kryesore të Kopenhagenit” Zonja Bregu, tani që opozita u kthye në parlament, si e shikoni bashkëpunimin me opozitën përsa i përket proceseve integruese, në veçanti në përmbushje të 12 prioriteteve? Opozita është kthyer në parlament pas një kohe të gjatë të joinstitucionalizimit të iniciativave të saj. E nxitur nga abandonimi që opozita i ka bërë për shumë kohë institucionit kryesor vendimmarrës në vend, mazhoranca e ka ftuar disa herë opozitën për t’u kthyer në parlament. Kjo nuk ka ndodhur, sepse bojkoti ishte një vendim i marrë nga kreu i opozitës, i cili, (citoj) “ishte i bindur të mos njihte një institucion të delegjitimuar të dalë nga zgjedhjet e 2009”. Sot, natyrisht unë ndjehem mirë që z.Rama ndërroi mendje, atë institucion që e përbuzi për 2 vjet me radhë, atë institucion të cilin e zëvendësoi me çadrat më të paqëndrueshme edhe se çadrat e diktatorit në Libi, sot po e rivlerëson dhe është kthyer në parlament për të dhënë kontributin e tij. Por, kontributi i opozitës në procesin e integrimit europian, është një kontribut, i cili realisht ka munguar gjatë këtyre dy viteve. Z.Rama duhet të jetë i ndërgjegjshëm që kontributi i munguar, mungesat e 2 vjetëve gjatë të cilëve është tallur me vendimarrjen politike në vend, nuk zhbëhen për një muaj. Ato kanë lënë gjurmë, kanë dëmtuar kriterin politik, një nga kriteret kryesore të Kopenhagenit. Më duhet të përsëris mendimin të cilin e kam krijuar që nga séanca e parë parlamentare me fjalimin e z.Ruçi, ku u zhgënjeva sepse, si të gjityhë kolegët e mi, isha e predispozuar të dëgjoja një fjalim që të ofronte më shumë dhe të ulte tonet e luftënxitjes politike, çka nuk ndodhi: Në të gjitha iniciativat, të cilat kanë qenë detyrime të qeverisë shqiptare, përballë BE, si ajo e liberalizimit të vizave, si zbatimi i MSA që janë kontrata të shkruara mes Shqipërisë dhe BE-së, detyrimet e qeverisë shqiptare atëherë kur kontributi ishte vetëm për reforma qeverisëse, janë plotësuar maksimalisht. Pikërisht si rezultat i këtyre detyrimeve dhe i ligjevetë miratuara vetëm nga mazhoranca, shqiptarët sot gëzojnë psh.: liberalizimin e vizave. Ne kemi 12 prioritete përpara,pa dashur të specifikoj se cili është më I rëndësishmi, janë një paketë që i ka ardhur Shqipërisë si test për të provuar bashkëpunimin politik. Ligjet që janë më shumë se 16 dhe që presin 3/5, janë bllokuar që nga tetori I vjetshëm dhe po mbërrijnë sot në shtator në seancat e parlamentit. Shpresoj të votohen,do të jetë një element shumë pozitiv për të plotësuar një nga rekomandimet më të rëndësishme, të dytin e 12 prioriteteve. Rekomandimi tjetër, i cili është imediat është i katërti për plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it. Edhe ky rekomandim, me një reformë zgjedhore, ku të gjitha palët mund të përfshihen, është tërësisht i zbatueshëm. Por nëse opozita ka vendosur të kontribuojë realisht, duhet që iniciativën e ndërmarrë të hënën e kaluar, të mos e stopojë. Kjo nuk duhet të ndalet as me daljen e progres-raportit në tetor, as me vendimin për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat, në të cilën një përgjegjësi e madhe për mosfunksionimin e kriterit politik i takon politikës dhe opozitës shqiptare. Zonja Bregu kur kanë mbetur disa javë nga dhënia përgjigje e Komisionit Europian, a besoni se Shqipëria do të jetë e suksesshme në marrjen e statusit të vendit kandidat? Unë besoj që procesi i integrimit është një process që nukmbaron këtë vit,por që nuk mbaron as për dy vjet. Unë besoj që Shqipëria ka realizuar një pjesë të madhe të detyrimeve që janë vënë para saj në rrugën drejt Bashkimit Europian. Sikurse, nga ana tjetër, ky vendim i cili është një vendim i përbashkët i të gjitha vendeve që sot përbëjnë Bashkimin Europian dhe që kanë nevojë për tu bindur se realisht sot nuk do të ketë më dalje nga parlamenti se realisht sot, kontributi i politikës shqiptare është për Shqipërinë, ky vendim do të ishte një vendim që mund të merrej. Ne sot jemi në datën 7 shtator, që do të thotë në limitet kohore të vendimmarrjes së përbashkët, të konsultimit me të gjitha vendet anëtare. Mos harroni se një pjesë e vendeve anëtare janë në periudha zgjedhore, një pjesë tjetër janë në periudha të vështira të krizës ekonomike, shto këtu edhe pjesën që gjatë dy viteve kanë dëgjuar nga Shqipëria se opozita hynte e dilte nga parlamenti, nuk votonte,dhe një lloj konfrontimi të cilin ne nuk mund ta fshehim, e kemi transpozuar në të gjitha takimet në Bruksel, sa herë që kemi qenë bashkë, opozitë-mazhorancë. Unë sot pres një progres-raport që të vlerësojë rikthimin e opozitës në Parlament dhe sigurisht pres që nëse kjo iniciativë të jetë serioze, të lërë gjurmë në vendimmarrjen e afërt. Pjesë nga intervista e djeshme e ministres Majlinda Bregu dhënë për “Top Channel’
...