E Diel, 1 Nëntor 2026

Doris Pack dhe Tanja Fajon: Statusi kandidat, 12 rekomandimet - të plotësueshme deri në tetor

08-09-2011 / Gazeta 55

Brukseli përshëndet rikthimin e opozitës në Kuvend: Kontribuoni për integrimin e Shqipërisë

Bashkimi Evropian sheh me optimizëm thyerjen e bojkotit parlamentar nga Partia Socialiste. Brukseli apelon dhe njëherë për nisjen nga puna të miratimit të ligjeve të rëndësishme,  dhe reformave të integrimit evropian.
Mesazhi vjen nga dy eurodeputetet Doris Pack dhe Tanja Fajon.
Pack dhe Fajon u shprehën se rikthimi i opozitës në Kuvend, është mbështetur nga të gjitha grupimet politike në Parlamentin Evropian dhe se ky hap shihet si pozitiv për miratimin e ligjeve që kërkojnë mazhorancë të theksuar prej 84 votash, pra 3/5 e anëtarëve të Kuvendit.
Po ashtu, Bashkimi Evropian inkurajon faktorët politik shqiptarë që të fokusohen në rrugën e reformave, me qëllim që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti.
Eurodeputetet Pack dhe Fajon ndajnë mendimin se koha është e mjaftueshme për plotësimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, mjafton që të dominojë vullneti politik dhe opozita të jetë bashkëpunuese në Kuvend.
Ndërkaq, Komisioneri Fule ka paralajmëruar një diskutim konkret javën e ardhshme në Strasburg, pikërisht lidhur me progresin evropian të Shqipërisë dhe 12 pikat e KE, të cilat mbeten referenca kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat, pas dorëzimit të progres-raportit të Komisionit Evropian, në 12 tetor.

Doris Pack
Përfaqësuesja gjermane në Parlamentin Evropian Doris Pack thotë se integrimi i vendit i shërben qytetarëve shqiptarë dhe si i tillë tekat politike duhet të ishin lënë mënjanë.
Ajo shprehet kritike për bojkotin 2 vjeçar të Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë si vendimin më të gabuar të një force politike që i përket një vendi potencialisht kandidat. Kjo sigurisht dëmtoi të ardhmen evropiane të vendit, por eurodeputetja Pack shprehet optimiste kur thotë se asnjëherë s’është vonë dhe se koha është e mjaftueshme për plotësimin e 12 kushteve të Brukselit.
“Ata kanë qenë në parlament, por tani kanë premtuar që do të punojnë për integrimin europian të vendit. Ky është një lajm i mirë dhe shpresoj se ata do të mbajnë premtimin e dhënë. Integrimi i shërben interesit të qytetarëve shqiptarë, ndaj ne kemi thënë dhe vitin e shkuar që qeveria dhe opozita të punojnë seriozisht për këtë. Është për t’u përshëndetur dhe shpresoj, që të ndodhë realisht. Nuk është asnjëherë vonë. Nëse ata fillojnë të bashkëpunojnë tani, kjo tregon reflektim dhe kjo është gjë e mirë. Nëse ata nuk do të fillonin tani, atëherë do të ishte një marrëzi, por ata nuk janë të marrë. Ata e kanë kuptuar që nëse duan të mbështeten nga Bashkimi Europian dhe Komuniteti Ndërkombëtar, ata duhet të kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur nga votuesit shqiptarë. Për mua është një fillim i ri, ndoshta një epokë e re dhe të dyja palët duhet të fillojnë tani të zbatojnë agjendën evropiane”, u shpreh eurodeputetja Pack, duke shtuar se integrimi është në interesin e qytetarëve shqiptarë dhe kjo duhet të merret në konsideratë nga të dyja palët.

Tanja Fajon
Të njëjtin mendim me Doris Pack shpreh edhe eurodeputetja sllovene Tanja Fajon.
E njohur si një nga mbështetëset e aspiratave të integrimit evropian të Shqipërisë, Fajon thotë se Brukseli e priti mirë lajmin e rikthimit të opozitës në Kuvend, por kjo duhet të përkthehet në dialogut politik e bashkëpunim për ligjet dhe reformat. Fajon sjell në vëmendje se Bashkimi Evropian ka apeluar vazhdimisht për rinisjen e dialogut politik në Shqipëri dhe fokusimin e vëmendjes te plotësimi i standardeve të BE-së.
Sipas saj, Shqipëria duhet të vazhdojë përafrimin në BE, përmes një dialogu të shëndoshë e të vazhdueshëm dhe kjo është detyrë e të gjithë faktorit politik.
“Fakti që opozita shqiptare është në parlament është një nga lajmet më të mira që kemi marrë nga Shqipëria gjatë muajve të fundit. Është një hap shumë pozitiv për rivendosjen e dialogut në Parlamentin shqiptar. Të gjitha palët duhet të angazhohen për një dialog konstruktiv për të ardhmen e Shqipërisë. Është shumë e nevojshme që Shqipëria të vazhdojë përafrimin në Bashkimin Europian përmes një dialogu të shëndoshë dhe të vazhdueshëm. Ky është një hap shumë pozitiv. E mirëpres dhe është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët shqiptarë”, u shpreh Fajon.
Ajo apelon zbatimin e 12 kërkesave të Komisionit Evropian, pasi nga ecuria e tyre, varet e ardhja evropiane e Shqipërisë. “Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përqendrohen në strategjinë e integrimit dhe të zbatojnë të 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Besoj që do kemi lajme të mira para shpalljes së progres-raportit. Kemi disa lajme të mira jo vetëm nga Shqipëria dhe shpresojmë që të hedhim një hap përpara drejt integrimit europian të këtyre vendeve”, tha më tej eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›