Bashkia, mensë për 100 persona në nevojë
Pjata të ngrohta falas në drekë, për 100 qytetarët e ish-Kombinatit që marrin Ndihmë Sociale. Kjo është Mensa Sociale e ngritur nga Bashkia e Tiranës në Njësinë Bashkiake Nr.6, ku do t'i shërbehet kategorive më në nevojë e më të varfra të qytetit. Gjatë përurimit të kësaj mense, kryebashkiaku Edi Rama u shpreh përpara dhjetëra personave, të cilët ishin shtruar të hanin vaktin e tyre të parë falas në këtë qendër, se kjo është mensa e parë për bashkëqytetarët dhe bashkëqytetaret që kanë nevojë për këtë shprehje solidariteti të komunitetit kryeqytetas. "Më lejoni që t'ju siguroj se ky shërbim, ky kujdes dhe kjo vëmendje që ju gjeni tek kjo qendër, është dhe falë punës së shkëlqyer të Drejtoreshës dhe të ekipit të saj të jashtëzakonshëm",- tha Rama. Ndërkohë burime nga Bashkia thanë se, nga shërbimi i mensës do të përfitojnë çdo ditë 100 persona në nevojë të kategorive të ndryshme, si: të moshuar të vetmuar dhe me probleme sociale, fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijë që lypin, gra e vajza në risk etj. Vakti i drekës për përfituesit do të jetë falas dhe do të realizohet nëpërmjet shërbimit catering. Planifikimi i Mensës Sociale brenda një mjedisi ku ofrohen tashmë shërbime sociale, sintetizon krijimin e një modeli të ri marrëdhëniesh të ndërsjella mes përfituesve dhe ofruesve të shërbimeve. Sipas Bashkisë së Tiranës një ndër objektivat e krijimit të Mensës Sociale është edhe përfshirja e këtij grupi personash në programe të ndryshme sociale, duke ofruar mundësi për integrimin e tyre në shoqëri dhe jo përjashtim apo izolim social. Bashkia e Tiranës, me fondet e saj realizoi rikonstruksionin e plotë të mjediseve ku do të funksionojë ky shërbim.