Matura Shtetërore / Pollo: Këshillim karriere për maturantët
Sipas MASH maturantët do të këshillohen nga fakultetet, për shanset që do të kenë në degët që konkurrojnë dhe për perspektivën e karrierës
Kandidatët për studentë, duke filluar nga viti tjetër do të informohen hollësisht për shanset reale ku mund të fitojnë shkollën e lartë dhe rrugën e karrierës që ofron kjo degë. Kështu është shprehur Ministri i Arsimit, Genc Pollo, në takimin e zhvilluar dje në Durrës me rreth 100 zyrtarë arsimorë dhe njohës të tjerë të kësaj reforme në analizën dyvjeçare të Maturës Shtetërore, ku u kërkua që vlerësimi i nxënësve për Maturën Shtetërore të avancojë. Kjo gjë, sipas ministrit Pollo do të bëhet përmes informimit më të mirë të maturantëve nga Institucionet e Arsimit të Lartë, për shanset që do të kenë ata në një degë të caktuar studimi dhe për perspektivën e karrierës që u ofrohet atyre në raste të ndryshme. Eksperienca e testimit të lëndëve që u zbatua vitin e kaluar, sipas Pollos, ku MASH ka pilotuar vlerësimin e provimeve me standardet e Maturës Shtetërore, do të imitohet dhe në arsimin e lartë, përmes grupeve të punës.
Orientimi
Sipas burime zyrtare të MASH shkollat e larta do të orientojnë dhe informojnë çdo kandidat në bazë të një informim të plotë, me anën e disa mekanizmave, siç janë këshillimi i karrierës, "Ditët e gjimnazistëve në universitet", nisma këto që mendoj se duhet t'i zhvillojmë duke filluar nga ky vit. Kreu i dikasterit të Arsimit, ka kërkuar më pas nga zyrtarët arsimorë që të mbështesin krijimin e një treguesi të unifikuar në nivel kombëtar, në mënyrë që çdo nxënësi në përfundim të shkollës së mesme t'i vlerësohen njohuritë. "Duhet të vështrojmë me lupë në dorë të gjithë elementët e maturës, në mënyrë që të ndreqim çdo devijim të mundshëm nga korrektesa e saj",- është shprehur Pollo, duke shtuar më tej se për hir të paanshmërisë në renditjen e maturantëve, do të bëjmë çmos që të zvogëlojmë luhatjet subjektive në mes shkollave për notën mesatare të katër viteve, duke përshpejtuar përcaktimin e standardeve të arritjeve të nxënësve, por edhe të standardeve të mësuesve. Ministri Pollo ka kërkuar nga zyrtarët e lartë që testimi për njohuritë në disa lëndë kur janë me alternativa të ndryshojë, pasi e kufizon diagnozën e personalitetit të nxënësit dhe rrezikojnë kështu ngushtimin e misionit të shkollës. "Është detyrë e AVA-s, ndër të tjera, që të analizojnë rrugë moderne të testimit për të vlerësuar mendimin kritik, aftësitë krijuese dhe rezultate të tjera që nxënësit duhet t'i kenë të zhvilluara në përfundim të shkollës së mesme",- ka shpjeguar Pollo.
Ndryshimi
Sipas burimeve zyrtare të MASH, Matura Shtetërore do të sjellë një konceptim të ri në formën e zhvillimit të provimeve. Ky proces, sipas specialistëve të MASH po sjell nevojën për ndryshim në mënyrën e punës së mësuesit dhe në qasjen e nxënësit ndaj të mësuarit. "Të gjitha palët e dinë se notat fiktive nuk vlejnë. Mësuesit tanë tashmë janë të ndërgjegjshëm se njohuritë që u jepen nxënësve duhet të jenë të konsoliduara, të matshme dhe larg të qenit fiktive",- thanë burimet nga dikasteri i Arsimit. Sipas tyre Matura Shtetërore, përmes këshillimit të karrierës do të konsolidojë edhe më tej përgjegjësinë e nxënësit, të prindit, të mësuesit, përgjegjësi kjo e matshme dhe e verifikueshme lehtësisht.