E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulimet e letërsisë tek Lidhja

Fituesit e çmimeve të përvitshëm të Ministrisë së Kulturës, shpallen në ndërtesën e rikonstruktuar të ish- Lidhjes së Shkrimtarëve. Për herë të parë çmimet mbajnë emrat e Poradecit, Kutelit, Nolit, Fishtës
Përurime dhe çmime letrare, për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e cila dje hyri zyrtarisht në zyrat e reja, ambiente që deri para pak kohësh i përkisnin Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Një proces i shpejtë shndërrimi brenda 100 ditësh, që i dha MTKRS-së një godinë të denjë. I kënaqur që gjatë periudhës së drejtimit të tij, e bëri ministrinë me shtëpi të re, Ylli Pango bëri përpara kryeministrit Sali Berisha dhe gjithë të pranishmëve, prezantimin e godinës. Si për t'i qëndruar besnik origjinës shumëvjeçare të godinës së LSHA-së, përveç mjediseve për administratën dhe sallave të mbledhjes, në ndërtesën e re janë krijuar hapësira të posaçme për aktivitete artistike, të pagëzuara me emra personalitetesh të artit.
Në katin e parë, ish-klubi i Lidhjes është kthyer në sallën "Ibrahim Kodra", ku artistët e rinj bashkëkohorë mund të ekspozojnë. Për të vijuar me sallat "Tefta Tashko Koço" (ku u zhvillua ceremonia) përrealizimin e koncerteve dhe tarracat "Vëllezërit Lymier", kushtuar kinematografisë dhe salla "Gjergj Fishta".
Gjatë ceremonisë përshëndeti kryeministri Sali Berisha i cili nuk mund të mos vlerësonte punën e bërë në këtë "tempull të kulturës" dhe faktin që kjo ngjarje zhvillohej pikërisht në ditën kur opozita zhvillonte protesta në shesh.
Godina e ndërtuar në vitin 1932 u rikonstruktua me fondin 60 milionë lekë të reja, tashmë ka në krye gërmat e mëdha të kuqe MTKRS, dritat e të cilave ishin shuar pa u prerë shiriti i përurimit.
Ceremonia u bë në një ditë me ngjarjen më të madhe letrare të vitit, çmimet që jep kjo ministri, për prurjet e një viti të mëparshëm. Ish-Pendat e rikonceptuara, tashmë mbajnë emrat e figurave të shquara të gjinive letrare. Për kryetarin e jurisë së këtij viti, Aurel Plasarin, çmimet e edicionit në fjalë janë konsideruar si mënyrë "për të tërhequr vëmendjet e çoroditura të lexuesve" ndaj disa veprave dhe disa autorëve.
I bindur që në një garë ka të kënaqur dhe të pakënaqur, Plasari u bëri thirrje këtyre të fundit të vlerësojnë më shumë veten e tyre.
Për të drejtuar ceremoninë ishin ftuar aktorët Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa.
Çmimi i parë ishte ai "Gjergj Fishta", të cilin e dorëzoi kryeministri Berisha. Për ndikimin në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar, ky çmim iu dha pas vdekjes përkthyesit Vedat Kokona për esenë "Komedia e përjetshme".
Për interpretimin bashkëkohor në fushën e kritikës letrare, Çmimi "Faik Konica" iu dha studiueses Dhurata Shehri për monografinë "Koliqi mes malit dhe detit".
Çmimi "Fan Noli" për përkthyesin, i cili përgjatë një viti ka sjellë në nivele të larta në gjuhën shqipe, vepra të rëndësishme nga letërsia botërore, iu dha Romeo Çollakut. Një vlerësim për përkthimin e vëllimit "Tregime të zgjedhura" nga autorë grekë të shek. XX (botuar nga "Max") dhe që sipas jurisë është një arritje në nivelin profesional, në vazhdën e traditës më të mirë të përkthimit shqiptar.
Çmimi "Mitrush Kuteli" për ndihmesën e çmuar në përsosjen e prozës së shkurtër shqipe iu dha shkrimtarit Mehmet Kraja për veprën "Hija e qershisë nën dritën e hënës". Një nga çmimet më të rëndësishme letrare iu dha një pseudonimi, Enrik S.G., për të cilin kryetari i jurisë Aurel Plasari u shpreh se ia dhanë çmimin pa asnjë paragjykim, përpos emrit. Bëhet fjalë për Çmimin "Petro Marko", të cilin e meritoi shkrimtari Enrik Spiro Gjoka për romanin e tij "Metamorfoza e një brezi të humbur", i cili vlerësohet se "ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se letërsia shqipe është pjesë integrale e Letërsisë evropiane". Çmimi "Lasgush Poradeci", për veprënpoetike që "ka përcjellë te lexuesi risi dhe vlera të reja në poezinë shqipe" iu akordua poetes Luljeta Dano për vëllimin "9 Trojat".
Ndërsa Çmimi "Jusuf Vrioni" iu dha përkthyesit arbëresh Eugenio Scalambrino "i cili ka dhënë një ndihmesë të ndjeshme në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhët dhe kultura të huaja". Ndryshe nga vitet e tjera çmimet letrare nuk u përzgjodhën mes veprave të dorëzuara në MTKRS, por duke hulumtuar tregun dhe fondin që disponon Biblioteka Kombëtare me botime të vitit 2006. Juria përbëhej nga Aurel Plasari, Donika Omari, Zija Çela, Parid Teferiçi dhe Agron Gjekmarkaj.
Dhe prapë ndryshe, krejtësisht ndryshe nga gjithë vitet e mëparshme, fituesit janë letrarë të pakonsumuar as nga çmimet, as nga juritë, as të promovuar nga media apo kritika. Le t'i quajmë, mbase jo të gjithë këta emra, "zbulimet e jurisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›