E Diel, 1 Nëntor 2026

"Inspektorët e KLD, jo më tendera me gjyqtarët"

Kreshnik Spahiu prezanton "librin e bardhë" në Gjykatën e Tiranës
TIRANË- Një "libër i bardhë" për sistemin "me faqe të nxirë" të drejtësisë. Kjo është nisma më e re e KLD-së, ku gjyqtarët dhe qytetarët mund të shkruajnë gjithë ankesat dhe sugjerimet e tyre për çka ndodh brenda sallave të gjyqit. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka prezantuar dje këtë projekt në Gjykatën e Tiranës, ku ka dëgjuar edhe një sërë shqetësimesh. Sipas ankesave të gjyqtarëve, problemet më shqetësuese janë mangësitë në infrastrukturë, mungesa e sallave, krahas numrit të madh të seancave gjyqësore si dhe shqetësimi nga qytetarët e thjeshtë në zyrën e punës. Këto veprime, sipas gjyqtarëve, ndikojnë në mënyrën e të dhënit drejtësi, duke sjellë shqetësime në zhvillimin e seancave gjyqësore. Ndërkaq, gjyqtarët i kanë kërkuar Spahiut të ndërhyjë për shtyrjet e proceseve nga letër-porositë, duke shtuar se një ndryshim në këto vonesa do të sillte edhe normalizimin e proceseve. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij të prezantimit të librit, Spahiu foli edhe për ngritjen e inspektorëve që do kontrollojnë punën e gjykatave, duke u shprehur se: "këta inspektorë nuk do të jenë persekutorë të gjyqtarëve apo inspektorë tenderash për shkeljet e gjyqtarëve. Këta inspektorë do të punojnë me përkushtim për të nxjerrë vlerësimet pozitive për gjyqtarët e ndershëm dhe profesionistë". Ai shtoi më tej se anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të njihen nga afër me gjyqtarët në të gjitha rrethet, për të mësuar mbi problemet e tyre të përditshme.
Altin Shkurti
Gjyqtarët nuk duhet të ulen në kafe me asnjë prej palëve. Problemet në procese kanë ardhur si pasojë e fletë-thirrjeve, letër-porosive të cilat kanë çuar edhe në shtyrje të njëpasnjëshme të seancave.
Fehmi Petku
Reforma duhet të bëhet e kujdesshme, duke informuar opinionin publik. Duhet të vlerësohet puna jonë që t'i paraqitet publikut për të pasur edhe besueshmëri ndaj gjykatës. Libri duhet të kishte një klasifikim te faqet e para
Petrit Çomo
Duhet të reformohen disa ligje dhe të ngrihen rrogat e gjyqtarëve. Nuk mund të vlerësohen njësoj gjyqtarët që kanë një vit karrierë dhe ata që kanë 10 vjet.
Ariana Caco
Dua të evidentoj tre probleme në rregullimin e punës në gjykatë. Së pari infrastruktura duhet të rregullohet, pasi ne bëjmë më shumë gjyqe në zyra. Së dyti, hedhja e shortit duhet që të monitorohet dhe duhet të shikohet ndarja në seksione

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›