Mjekët: Gripi po shkakton komplikacione, është epidemi
Sipas shefes së shërbimit të Alergo-Pneumologjisë në Pediatri, pacientët vijnë nga gjithë vendi. Në pavion nuk ka më vende
Raste në rritje dhe komplikacione të rënda shëndetësore duke shkaktuar edhe bronkopneumoni. Kjo është situata që ka sjellë gripi apo virozat e stinës siç i quajnë specialistët, por që ende nuk i dinë origjinën. Madje më të dëmtuarit nga gripi rezultojnë fëmijët, të cilët kanë mbushur shërbimin e Alergo-Pneumologjisë në Pediatrinë e QSUT-së. Sipas shefes së këtij shërbimi, Luljeta Kota, fakti që numri i pacientëve të prekur nga kjo virozë nga të gjitha anët e vendit, tregon se kemi të bëjmë me një situatë epidemike. Ndërkohë ajo shpjegoi shenjat e virozës dhe komplikacioneve që vijnë për shkak të kësaj viroze dhe u bëri thirrje prindërve të tregohen të kujdesshëm ndaj kësaj viroze. "Për momentin pavioni është plot. Nëse do të vazhdojnë të vijnë pacientë të tjerë, do të detyrohemi të kërkojmë shtrimin e tyre në pavione të tjera",- pohon Kota.
Epidemia
Fëmijë dhe të rritur të prekur nga gripi. Madje rastet janë në rritje dhe pacientët që përfundojnë në spital, janë nga të gjitha anët e vendit. Situata paraqitet problematike sidomos për fëmijët, të cilët kanë edhe organizëm të dobët dhe nuk munden ta përballojnë atë. Sipas mjekes Luljeta Kota numri i lartë i pacientëve, dhe aq më tepër i atyre që vijnë nga të gjitha anët e vendit, është shqetësues. "Mendoj se këtu ka epidemi, pasi na vijnë shumë fëmijë të prekur nga kjo virozë, nga të gjitha rrethet e vendit. Pra, është një epidemi ku strukturat përkatëse mund të japin ndonjë përgjigje se çfarë tip virusi është ky që po qarkullon",- thekson Kota, duke shtuar se prej 2 javësh paraqiten çdo ditë fëmijë për ndihmë mjekësore. Sipas saj, numri i fëmijëve që paraqiten në Urgjencë është shumë i lartë, por në shërbimin e Alergo-Pneumologjisë mbahen vetëm fëmijët që janë rëndë dhe kanë nevojë të domosdoshme për ndihmë mjekësore të specializuar. Ndërsa sa i takon llojit të virusit që ka "pushtuar" vendin ajo pohoi se janë specialistët e Shëndetit Publik që munden ta shpjegojnë.
Komplikacionet
Gripi apo virozat, siç i quajnë mjekët, po i mundojnë shumë fëmijët pasi ka shkaktuar komplikacione të rënda shëndetësore. Sipas mjekëve, nga temperaturë e lartë deri në bllokim të frymëmarrjes duke stimuluar edhe bronkopneumoni, janë disa nga komplikacionet që po shkakton gripi. "Në mënyrën më absolute këto viroza kanë ndikuar shumë mbi komplikacionet e fëmijëve, të cilët tashmë janë shtruar në pavion. Është e njohur shkencërisht, që çdo infeksion viral prish imunitetin mbrojtës të organizmit, pra e dëmton imunitetin mbrojtës, dëmton tërë mekanizmat që mbrojnë mushkëritë",- shpjegoi Kota, duke shtuar se çdo infeksion viral stimulon zhvillimin e një infeksion bakterial, që normalisht është bronkopneumonia aspo siç e quan populli, i ftohur. Megjithatë Kota pohoi se në këtë rast nuk mund të flitet për ftohje, por infeksion viral, që nuk ia dinë origjinën. Sipas saj, disa nga shenjat e virozës janë temperatura e lartë 38-39-deri në 40 gradë, të vjella, rrufë dhe pak kollë. Ndërsa shenjat e komplikacioneve pneumonare janë atëherë kur fillojnë të dalin shenjat respiratore në pah, kur temperatura nuk është më aq e lartë por fillon vështirësia në frymëmarrje, sekrecionet dhe kollë e fortë.
Kota
Nuk jemi në gjendje të parandalojmë komplikacionet me medikamente
Infeksionet virale përgatisin terrenin për bronkopneumoni, por realisht mjekët nuk janë të aftë që me anë të medikamenteve të parandalojnë bronkopneumoninë. Kështu u shpreh shefja e shërbimit të Alergo-Pneumologjisë në Pediatrinë e QSUT-së, Luljeta Kota, duke shtuar se antibiotikët e përdorur pa kriter jo vetëm që nuk parandalojnë sëmundjen, por e favorizojnë më shumë atë. "Komplikacionet e shkaktuar nga gripi nuk mund të parandalohen me ilaçe, dhe sidomos me antibiotik. Shumë nëna kanë konceptin që sapo shohin fëmijën që po e zë gripi, ta mjekojnë me ilaçe se mos marrë bronkopneumoni. Në fakt nuk është kështu pasi këto medikamente jo vetëm që nuk e parandalojnë, por janë të dëmshme nëse përdoren pa rekomandimin e mjekut specialit",- pohon Kota. Sipas saj, antibiotiku nuk është mjekim profilaktik për bronkopneumoni në raste kur kemi viroza po ai prish komplet situatën normale që kanë rrugët e frymëmarrjes. "Theksoj se dhënia e antibiotikëve kur fëmijët janë me probleme, nuk e parandalon bronkopneumoninë. por përkundrazi mund ta favorizojë atë",- pohon Luljeta Kota.
Prindër të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, pohojnë se fëmijët e tyre janë të sëmurë prej disa ditësh
Viroza e "panjohur", pacientët e vegjël në kërkim të shpëtimit
Temperatura e lartë, bllokimi i frymëmarrjes dhe kolla e fortë i ka lodhur aq shumë, sa pacientët e vegjël të ofrojnë fytyra të verdha dhe shumë pak gjallëri për të qenë të tillë. Kështu, gripi apo viroza e panjohur nuk i ka kursyer të vegjlit, të cilët për shkak të komplikacioneve të rënda kanë populluar Pediatrinë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". E ndërsa prindërit shprehen të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre shpresojnë që ata të bëhen mm mirë dhe, të paktën, ditën e festave të mos mbeten dyerve të spitalit.
Fluksi
Në katin e 3-të të Pediatrisë, aty ku shtrohen fëmijët e prekur nga gripi i "pamëshirshëm", i cili i ka stërlodhur me ditë të tëra, nuk mund të gjesh asnjë shtrat të lirë. E ndërsa mjekët nuk kursejnë shërbimin ndaj tyre, kjo është e pamjaftueshme për pacientët e vegjël pasi viroza u ka sjellë komplikacione të rënda dhe duken pothuajse të papërballueshme për organizmin e tyre të dobët. Megjithëse shumica e tyre ende nuk e kanë mbushur një vit dhe nuk dinë të flasin për të shprehur ankesat e tyre, kjo nuk është e nevojshme pasi duket shumë qartë sepse janë të këputur, sa nënat e tyre pohojnë se nuk munden as të qajnë. Të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, shpresën e vetme e kërkojnë në spital për të zbutur sadopak komplikacionet e virozës së panjohur. Në fakt, mjekët pohojnë se në pavion shtrohen fëmijët që janë rëndë dhe kanë nevojë për ndihmë të specializuar, por kjo duket qartë pasi tek pacientët e vegjël lexohet lehtë që situata e tyre shëndetësore nuk është aspak e lehtë.
Prindërit
Iu duket pothuajse e pabesueshme, që për shkak të një gripi kanë përfunduar prej ditësh në spital, me shpresën se fëmijët e tyre do të përmirësohen. "Nuk e di se çfarë gripi na qenka ky, por e kam vajzën 6-muajshe prej 7 ditësh të sëmurë me temperaturë dhe merr frymë me vështirësi",- pohon Luljeta nga Puka, duke shtuar se është shumë e shqetësuar për të bijën. Ndërkohë prindër nga të gjitha rrethet e vendit pohojnë se pasojat e gripi apo të ashtuquajturit viroza të stinës i kanë vuajtur edhe të rriturit, që nuk po kuptojnë se si mund ta parandalojnë pasi edhe mjekimet nuk po japin ndonjë efekt të dukshëm. "Ky grip është aq i rëndë sa fëmija më ka kaluar në bronkopneumoni dhe ajo që është më shqetësuese, është fakti që kjo virozë e panjohur siç i thonë specialistët nuk po di të largohet",- pohoi njëri nga prindërit.