E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, nis projekti Tiranë - Romë për Toksikodipendencën

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me atë të Romës, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për trajtimin dhe trajnimin e të gjithë të prekurve nga droga. Shërbime do të ofrohen jo vetëm për përdoruesit e drogës, por dhe për krijimin e strukturave, forcimin e kapaciteteve, trajnimin e burimeve njerëzore për të përballuar fenomene të tilla. Ky projekt ka startuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Bashkisë së Tiranës, nga nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi dhe Agjencisë Bashkiake për Toksikodipendencën në Romë. Sipas Shalsit, falë një bashkëpunimi dhe një koordinimi të suksesshëm me komunitetin “Emanuel”, me “Cooperazione Italiana” si dhe me Agjencinë e Toksikodipendencës së Bashkisë së Romës, një projekt i tillë ka nisur vite më parë. Projekti “Tirana e shëndetshme” ka për qëllim të ofrojë dhe të shpërndajë modelin bazë të përvojës së arritur në fushën e toksikodipendencës, nga një rrjet partnerësh si Agjencia Bashkiake për Toksikodipendencën, institucion i Bashkisë së Romës; Zyra e Komisariatit të Qeverisë Italiane për Koordinimin e Politikave kundër drogës; Bashkia e Tiranës dhe komuniteti “Emanuel”. Synimi i këtij bashkëpunimi është që të punohet rreth praktikave më të mira të eksperimentuara në Bashkinë e Romës, me qëllim përforcimin e shërbimeve sociale të ofruara në Shqipëri, formimit profesional, ngritjes institucionale dhe koordinimit të shërbimeve. Projekti do të zbatohet në katër faza, për një periudhë kohore prej 12 muajsh.
Në këto faza do të analizohet vlerësimi i shërbimeve ekzistuese të toksikodipencës si dhe përshkrimin e karakteristikave që ky fenomen shfaq në qytetin e Tiranës etj.

Qeveria, ndihmë financiare për kurimin e pacientit Bajram Aliaj në Greqi

Qeveria ka vendosur të ndihmojë financiarisht pacientin Bajram Aliaj, në Greqi. Në buxhetin e miratuar për vitin 2008, zëri “Shpenzime operative”, Ministrisë së Shëndetësisë, do t’i shtohet fondi prej katër milionë lekësh, për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve, për kurimin e Bajram Aliaj, në klinikën e përgjithshme të Iasos, në Greqi. Kjo kërkesë është bërë nga Ministria e Shëndetësisë, pasi pacienti e ka të domosdoshëm kurimin në një klinikë të specializuar. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Ndërsa, pagesa do të bëhet pas paraqitjes së faturave origjinale. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›