E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, 8 të shtruarit në reanimacion në gjendje të rëndë

Kritike gjendja e pacientëve në spitalet e huaja. Katër ditë pas tragjedisë, të dëmtuarit vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë në spitale
Emanuela Sako

Edhe pse kanë kaluar gjashtë ditë nga tragjedia e Gërdecit, në QSUT qëndrojnë të shtruar ende 21 pacientë. Gjendja e tyre shëndetësore është akoma serioze, edhe pse mjekët flasim për një përmirësim të disa pacientëve që janë shtruar në pavijonin e Djegie – Plastikës. Ndërsa gjendja e tetë pacientëve që janë shtruar në reanimacion është në gjendje të rëndë. Prej gjashtë ditësh pacientët janë nën kujdesin intensiv të mjekëve dhe asnjë prej tyre nuk ka mundur të dalë nga reanimacioni. Shefi i Repartit të Djegieve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Gjergji Belba, sqaroi se gjendja e pacientëve që ndodhen në reanimacion paraqitet më problematike për shkak të djegieve, ndërsa gjendja shëndetësore e 13 pacientëve të tjerë paraqitet më e mirë dhe disa prej tyre mund të largohen së shpejti. Ndërsa gjendja e të shtruarve në Spitalin Ushtarak është më e mirë. Mjekët e këtij spitali shprehen se nuk ka më pacientë të rrezikuar për jetën, pasi ata që ishin në rrezik u larguan në klinikat italiane për një shërbim më të specializuar.
Reanimacioni
Specialistët sqarojnë se të shtruarit në reanimacion janë në gjendje të rëndë, por ata po kurohen intensivisht dhe janë gjatë gjithë kohës nën kujdesin e mjekëve. Shkalla e djegieve të marra është e madhe dhe kjo bën që ata të mos zhvendosen në Pavijonin e Djegie-Plastikës. Megjithatë, mjekët thonë se ecuria e sëmundjes tregon se gjendja shëndetësore e tyre pritet të përmirësohet. Dy ditë më parë reanimacionit iu shtua edhe një pacient tjetër, i cili ishte në pavijon. Sadik Sula ndërroi pavijon pasi gjendja e tij shëndetësore erdhi duke u rënduar. Mjekët thonë se tashmë është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse dëmtimet janë të mëdha.
Pacientët jashtë vendit
Përkeqësohet gjendja e njërit prej pacientëve në Spitalin e Brindisit. Bëhet fjalë për njërin prej shtatë të shtruarve në repartin e djegieve, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjendja e tyre është ende kritike, pasi kanë temperaturë të lartë. Ndërsa njëri nga pacientët që është i shtruar në Pavijonin e Ortopedisë ka përmirësim të gjendjes shëndetësore dhe ka filluar të ecë. Mbetet e pandryshueshme dhe kritike, gjendja e fëmijës 6-vjeçar, i shtruar në klinikën Okulistike në Brindisi. Deri tani ka arritur në 22 numri i të shtruarve në spitalet italiane dhe greke. Në spitalet e Italisë janë transportuar 16 persona, të cilët po kurohen nën kujdesin e mjekëve italianë. Ndërsa në Greqi ka shkuar në 6 numri i personave të dëmtuar që po marrin një shërbim më të specializuar. Gjendja e tyre është e vështirë, ndërsa informacionet nga jashtë vendit tregojnë se mjekët po bëjnë të pamundurën për kurimin e tyre dhe rikthimin pranë familjes.

Banorët ankohen për shpërndarjen e ndihmave

Banorët e mbijetuar nga tragjedia e Gërdecit ankohen për menaxhimin e situatës në shpërndarjen e ndihmave. Sipas tyre, ndihmat janë të pakta dhe nuk i përmbushin të gjitha kërkesat emergjente të tyre. Ndihmat që kanë ardhur për ta nuk janë shpërndarë për të gjithë sepse lista e përpiluar me emrat e banorëve nuk është e plotë. Kështu, një pjesë e tyre mbeten jashtë përfitimit me ndihma të ardhura nga vendet e huaja. Ata kërkojnë përfshirjen e të gjithë atyre që janë prekur nga dëmet e mëdha të shpërthimit. Të gjithë banorët e Gërdecit janë jashtë, pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar plotësisht dhe janë të pabanueshme. Ditën e djeshme bashkia shpërndau 600 çadra, ndërsa pritet që të vijë dhe kontingjenti tjetër me ndihma. Ndihmat janë shpërndarë edhe për të prekurit nga dëmet në fshatrat pranë Gërdecit, si në Marqinet dhe Vorë. Kryetari i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili, i cili ishte në fshatin Marqinet për shpërndarjen e ndihmave në ndihmë të banorëve të dëmtuar nga shpërthimi, u shpreh se qeveria po merr të gjitha masat për përballimin sa më të mirë të të gjithë situatës. Ai ka siguruar banorët se asnjë prej të dëmtuarve nuk do të ngelet jashtë skemës së ndihmës.
Ndihmat për banorët e këtyre fshatrave janë ndihma ushqimore, veshmbathje, çadra etj. Sipas tij, ndihma nga qytetarët, donacionet e ndryshme nga subjektet private është në shkallën më maksimale. Pritet që fondi amerikan i ndërmarrjeve do të japë një fond prej 500 eurosh për çdo viktimë të humbur. Ndërkohë që fshati Marqinet, bashkë me fshatin Gërdec, përbëjnë rreth 4 mijë banorë, të cilët presin ndihmën e të gjithë shoqërisë.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›