E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, ju nuk demontoni armë, ju po demontoni shtetin!

Nga Vali Leskaj

Historitë që treguat këtu, zoti kryeministër, fyejnë çdo shqiptar, fyejnë Kuvendin që ju ka thirrur të raportoni, të tregonit shkaqet e vërteta të tragjedisë që gatuat, të thoni pse u vranë gjithë ata njerëz. Me fjalën tuaj ju treguat edhe një herë se jeni i papërgjegjshëm. Dhe meqë u shfajësove këtu nga përgjegjësia, po të them të lexosh nenin 169 të Kushtetutës. Ju nuk u kërkuat falje atyre njerëzve, as sot. Ndaj do të ishte e tepërt të pretendonim sot nga ju që të ishit ndryshe.
Në këto 17 vjet ju jeni personifikuar si president i një vendi që u dogj e u shkrumbua deri në dhimbje, si kryetar i një opozite që dogji institucionet dhe tani së fundi si kryeministër i një qeverie, e cila, me një vendim krejt të papërgjegjshëm, realizoi një bombardim të mirëfilltë mbi një zonë të banuar. Një goditje që ka shkaktuar humbje jetësh të pafajshme, zhdukje e plagosje fëmijësh, grash e burrash fatkeq, shpërngulje masive familjesh të copëtuara, shkatërrime shtëpish e pronash. Bilancit tragjik i shtohen dhe pasojat që do të lërë kjo ngjarje në memorien dhe shpirtin e kombit, të çdo shqiptari, të çdo fëmije që nuk do të harrojnë lehtë imazhet e kësaj tragjedie, kur ende nuk janë tharë lotët e 11 viteve më parë. Të udhëhequr nga arsyeja njerëzore e qytetare, jo nga instinkti i luftës për pushtet, jo me klithma pa pyetur për pasojat, siç bënit ju, ne ju dhamë juve dhe qeverisë suaj mbështetje në orët e tmerrit për të ndihmuar njerëzit në nevojë, mjekët, policët, ushtarët që të bënin detyrën. Ne e bëmë këtë për njerëzit dhe jo për t'ju krijuar mundësinë juve që të dilni në ato konferenca shtypi të turpshme, të cilat dëshmuan se ju jeni po ai, personifikimi i njeriut që s'di të marrë kurrë përgjegjësitë e veta, po vetëm t'ua lerë fajin të tjerëve.
Z. Kryeministër, sigurisht që ju duhet ta dini se detyra e parë e qeverisë së një vendi është siguria e jetës së shtetasve, ndërsa ju jeni qeveria që minuat sigurinë me afera korruptive.
Ministri juaj i Mbrojtjes dha dorëheqjen pasi populli, në çdo mikrofon e ekran dhe pastaj edhe opozita e vendit, i kërkoi atij dhe juve të merrni përsipër përgjegjësinë për këtë tragjedi që ka tronditur botën. Nuk mund të rrini ende ulur në atë karrige, zoti kryeministër, pasi politika juaj e mbrapshtë ka shkaktuar një tragjedi të madhe që u ka fikur jetën apo ju ka marrë njerëzit më të dashur dhe gjithçka kishin kaq shumë bashkëqytetarëve tanë?
Sot e tërë Shqipëria, qytetarët e majtë, të djathtë e pa parti, kërkojnë nga ju të bëni atë që bëri ministri juaj i Mbrojtjes, i cili bashkë me ju dhe jashtë çdo logjike njerëzore e ligjore, lejoi hapjen e një fabrike të çmontimit të municioneve në zemër të aksit kryesor të vendit, Tiranë-Durrës, në një zonë të banuar dhe pranë aeroportit ndërkombëtar. Fabrikë e quani, ju zoti kryeministër, po në fakt ajo ishte një barakë, baraka e vdekjes, që kryente operacione me rrezik jete. Ky është një rast i paprecedent. Është shumë cinike të mendosh për fitime përpara jetëve të grave, burrave, fëmijëve që për bukën e gojës vënë në rrezik jetën. Është e paprecedent të shohësh një barake që quhet fabrikë, ku brenda dhe jashtë saj, sheshit e pa asnjë masë sigurie, të ketë male me municion. Është shumë cinike që fëmijë të enden në këto male me municion dhe shteti të mos shohë. Ju, zoti kryeministër, jeni zotuar për të luftuar korrupsionin e informalitetin e për këtë keni kontrolluar byrektore e domateshitës, që nxjerrin bukën e gojës dhe mirë keni bërë, ne jemi për shtetin ligjor. Po pse nuk e keni bërë këtë edhe për fabrikën e vdekjes, që nxirrte miliona nga djersa e njerëzve pa i siguruar ata? A e morët vesh, z. Kryeministër, se nga 140 punëtorë që punonin në fabrikë vetëm 7 - 8 siguroheshin mesatarisht, muajt e fundit vetëm një është siguruar dhe ky është pronari? Pse kaq zemërmirë me këtë firmë?
Ky është korrupsion politik, moral e financiar i paguar me jetë njerëzish. Ky ishte akti i ligjëruar me kontrata korruptive, që tashmë nuk mund t’i mbulojë dot askush. Dhe për këtë ju akuzoni mediat, siç bëtë edhe sot në mbledhjen e qeverisë.
Askush nuk do të kishte kurajën të bënte atë që bëtë ju sot, të akuzonte mediat në vend që t’i falënderoni ato për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në këto ditë me shpirt njerëzor, me transparencë e profesionalizëm.
Ajo që bëtë sot është një presion i hapur ndaj mediave të lira dhe kjo është shumë e rëndë. E bëtë këtë sepse ato flasin për të vërteta të frikshme, po ky nuk është faji i medias. Pas kësaj që ka ndodhur nuk e di si mund të rrini ulur në atë karrige, zoti kryeministër. Ju fyeni të vdekurit e të gjallët kur thoni se qeveria juaj kishte përgjegjësi vetëm për transportin e municionit dhe jo për lejen e fabrikës, jo për vendndodhjen e saj, jo për kushtet e sigurisë brenda saj, jo për shfrytëzimin e grave e të të miturve, jo për fundin tragjik të saj? Është edhe më e turpshme kur thoni se nuk e keni dëgjuar ndonjëherë emrin Gërdec, që e keni vetëm 10 km nga zyra.
Zoti kryeministër, disa herë në këtë sallë e në konferenca shtypi, personalisht kam kërkuar të ndaloni punën e fëmijëve që rrëmojnë në malet e kromit në Bulqizë, ku u kanë vdekur baballarët, për fëmijët që rrëmojnë hekurishte e predha për t’i shitur duke u bërë viktimë, po ju nuk keni dëgjuar. Ndonjërit në këtë sallë i është dukur edhe diskutim i parëndësishëm. Çfarë ka më të rëndësishme për politikën sesa jeta e njerëzve, sesa jeta e fëmijëve? Problemi nuk është vetëm që shkaktuat këtë tragjedi, por dhe që e keqmenaxhuat. Si është e mundur që kryeministri i vendit të pyesë punëtorin e plagosur e të traumatizuar se sa veta ishin në fabrikë? Si është e mundur që qeveria nuk ka informacion sa veta punojnë në një objekt të tillë? Kjo është e frikshme.
Zoti kryeministër, nuk kanë qenë të paktë qytetarët që më kanë kërkuar t'ju kujtoj se ç'ke bërë në këtë foltore si kryetar i opozitës, kur u mbyt një gomone me klandestinë në mes të detit, apo kur ra një autobus në greminë. Ka ndër këta qytetarë që mendojnë se ju nuk e jepni dorëheqjen sepse doni të fshihni diçka të tmerrshme lidhur me fabrikën e vdekjes. Këtë sot për sot e dini vetëm ju.
Ajo që dimë ne është se nuk bëmë e nuk do të bëjmë asnjëherë atë që ju keni bërë në këtë vend. Atë që keni bërë në këtë foltore me ulërima, akuza e shpifje, por padyshim as nuk do të lejojmë që këtë barbari shtetërore ju ta kaloni me papërgjegjshmërinë tuaj proverbiale e me justifikimet tuaja të patolerueshme.
Ajo që mund t’ju them sot është se ju nuk demontoni armë, ju demontoni shtetin dhe kjo është tragjike për një vend. Ju duhet të shkoni të rrëfeheni përpara organeve të drejtësisë e jo në foltoren e Këshillit të Ministrave apo të këtij Kuvendi që duhet të heqë zyrtarisht imunitetin tuaj e të ministrit të Mbrojtjes. Që e vërteta të zbardhet deri në fund, që llogaritë të bëhen deri në fund, që përgjegjësitë të dalin deri në fund, ne kërkojmë jo vetëm dorëheqjen, por dhe hetimin tuaj, zoti kryeministër. Krateri i Gërdecit nuk mund të mbyllet me dorëheqjen e vonuar të Fatmir Mediut pa dalë e gjithë e vërteta.
Zoti ju ndriçoftë arsyen, zoti Berisha!
(Fjala e mbajtur dje në Kuvend)

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›