E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji i MSH-së, gjoba për spitalet në rast shkeljeje të rregulloreve

Gjobë nga pesëfishi deri në dhjetëfishin e pagës minimale
Emanuela Sako

Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një projektligj ku parashikon penalizime me gjoba të ndryshme nga ligji i mëparshëm për subjektet që shkelin rregullat e përcaktuara nga ky dikaster. Në nenin 54 të projektligjit thuhet se shkelja e kërkesave të neneve për aktivitetin privat, për Mbikëqyrjen e Institucioneve të Kujdesit Shëndetësor, për Licencimin, për Sistemin e Informacionit Shëndetësor dhe për Ligjin e Detyrimeve gjatë Grevës, kur këto nuk përbëjnë vepër penale por shkelje administrative, dënohen me gjobë nga pesëfishi deri në dhjetëfishin e pagës minimale në shkallë vendi. Kështu, në rast se në këto rregulla të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë haset kundravajtje administrative, gjobiten me pesëfishin apo dhjetëfishin e 160 mijë lekëve që është paga minimale në vend. Autoriteti për vënien e gjobës në këto raste është Inspektorati Shëndetësor Shtetëror. Ky draft, i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, do të shkojë së shpejti për diskutim në Këshillin e Ministrave.
Gjoba
Masat do të merren në rastet kur do të hasen shkelje nga klinikat private. Ministria e Shëndetësisë nuk lejon që aktivitetet private të kryejnë fekondim artificial në rastet kur dhuruesi është person i panjohur për çiftin apo në rastet kur gabohet në përcaktimin e atësisë te fëmijët e porsalindur. Po kështu, gjoba do të vendoset në raste kur në një klinikë shkelen rregullat për marrjen, ruajtjen, transportin dhe transplantimin e indeve dhe organeve njerëzore përveçse në raste të autotransplantimit. Këto veprimtari Ministria e Shëndetësisë ia ndalon klinikave private.
Rrezikohen të gjobiten të gjithë institucionet shëndetësore që nuk iu përshtaten rregullave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo pasi institucionet shëndetësore dhe punonjësit e shëndetësisë, publik, privat apo formë tjetër pronësie, janë të detyruar të pranojnë të mbikëqyren nga Ministria e Shëndetësisë dhe këshillat administrative përkatëse. Mbikëqyrja e institucioneve shëndetësore përfshin mbikëqyrjen e brendshme dhe mbikëqyrjen e jashtme – inspektimin. Kështu, subjektet gjobiten në rast se shkelen disa procedura të licencimin e subjekteve. Po kështu, qendrat shëndetësore do të gjobiten në rast se nuk do të realizojnë detyrimet ndaj grevave. Në Nenin 49 përcaktohet që gjatë kohës së grevës institucioni shëndetësor është i detyruar të ofrojë minimumin e shërbimeve të kujdesit. Dhënia e informacioneve shëndetësore dhe raportimi i tyre në mënyrë periodike është detyrë e qendrave shëndetësore publike dhe private. Nëse hasen pasaktësi gjatë raportimeve, atëherë Ministria është e detyruar të përcaktojë disa sanksione ndaj përgjegjësve të situatës.

Nëse shkelen këto rregulla, ministria vendos gjoba ndaj subjekteve private

Neni 27
Ndalimi i aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë

1. Veprimtaria shëndetësore private nuk lejohet për:
a) Fekondim artificial në rastet kur dhuruesi është person i panjohur për çiftin;
b) Përcaktim atësie;
c) Grumbullim të gjakut dhe derivateve të tij;
d) Marrjen, ruajtjen, transportin dhe transplantimin e indeve dhe organeve njerëzore përveç se në raste të autotransplantimit;
e) Shërbimet e morgut;
f) Veprimtaritë në fushën e shëndetit publik të rregulluara me ligje të veçanta

Neni 30
Mbikëqyrja e Institucioneve të Kujdesit Shëndetësor
1. Mbikëqyrja është procesi me të cilin Ministria e Shëndetësisë kontrollon zbatimin e normave dhe rregullave të organizimit dhe funksionimit të institucioneve shëndetësore.
2. Institucionet shëndetësore dhe punonjësit e shëndetësisë, publik, privat apo formë tjetër pronësie, janë të detyruar të pranojnë mbikëqyrjen nga Ministria e Shëndetësisë dhe këshillat administrativë përkatës.
3. Mbikëqyrja e dhënësve të shërbimit bëhet në pajtim me dispozitat e ligjit shqiptar të kujdesit shëndetësor dhe akteve të tjera nënligjore.
4. Mbikëqyrja e institucioneve shëndetësore përfshin mbikëqyrjen e brendshme dhe mbikëqyrjen e jashtme – inspektimin.

Neni 37
Licencimi
1. Licencimi është procesi nëpërmjet të cilit një autoritet shtetëror i autorizuar i jep të drejtën një subjekti fizik apo juridik të ushtrojë në mënyrë të pavarur aktivitetin në fushën e shëndetësisë.
2. Procesi i licencimit siguron që një punonjës shëndetësie apo institucion shëndetësor plotëson kërkesat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
3. Licencimi është i detyrueshëm për të gjithë individët dhe institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.
4. Licencimi i punonjësit shëndetësor kryhet nga një autoritet i autorizuar ndërsa licencimi i institucionit shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë.
5. Procedurat e aplikimit për licencë aktiviteti në fushën e kujdesit shëndetësor si dhe heqja e saj përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 44
Sistemi i informacionit shëndetësor
1. Ministria e Shëndetësisë ngre dhe mban një sistem të njehsuar të informacionit shëndetësor bazuar në standardet europiane të informacionit.
2. Dhënësit e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, publik dhe privat janë të detyruar të mbledhin dhe raportojnë të dhëna në mënyrë periodike. Formati dhe mënyra e raportimit përcaktohen nga ministri i Shëndetësisë.
3. Të dhënat e sistemit shëndetësor realizohen nëpërmjet grumbullimit dhe evidentimit të të dhënave në dokumentacionin shëndetësor që mund të jetë dokumentacion që mbetet në institucion ose në pronësi të pacientit.
4. Personeli mjekësor mban përgjegjësi për saktësinë e të dhënave të regjistruara në dokumentacionin dhe evidencën mjekësore.

Neni 49
Detyrimet gjatë grevës

Gjatë kohës së grevës, institucioni shëndetësor është i detyruar të ofrojë minimumin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor si përcaktohet në Ligjin Nr.7961, datë 12.07.1995, “Kodi i Punës”, i ndryshuar.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›