E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet për 12 muaj pagesa e TVSH-së për energjinë e importuar

Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të Nenit 26 të Ligjit Nr. 7928, datë 27.4.1995, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që në kreun І të Vendimit Nr.559, datë 16.8.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pagesa e TVSH-së shtyhet deri në dymbëdhjetë muaj nga kryerja e zhdoganimit.

IQT: “Depozitat e gazit në Vorë ishin bosh”

Kryetari i Inspektoratit Qendror Teknik (IQT), Ilir Kurti, bëri të ditur se, "depozitat e gazit në zonën afër Gërdecit prej 4 muajsh kanë qenë bosh, të mbyllura, pra pa aktivitet dhe nuk mund të krijojnë asnjë shqetësim për banorët e zonës". Në kuadër edhe të sensibilizimit publik pas ngjarjes në Gërdec, inspektorët e IQT-së kanë kryer verifikimin në zonën përreth Vorës dhe më gjerë. Kurti tha: "Pas verifikimit të kryer nuk është konstatuar asnjë dëmtim në depozitat e gazit apo të naftës të firmave private, që punojnë me to". Në vijim të punës inspektuese, detyrë kjo e Inspektoratit Qendror Teknik, vijon puna në të gjithë vendin për verifikimin e detyrimeve që kanë firmat private në fushat e tregtimit të gazit dhe naftës për të rritur sigurinë e produkteve si në treg, edhe në mbrojtje të jetës së banorëve. Ndërkohë, IQT-ja ka vënë në dispozicion të qytetarëve edhe një numër jeshil 258-359 për çdo informacion lidhur me sigurinë e kushteve për tregtimin e nënprodukteve të naftës dhe gazit, - tha Kurti.

“Emporiki bank”, 10 mijë euro për të prekurit nga tragjedia

“Emporiki bank” kontribuon me shumën prej 10 mijë eurosh për banorët e prekur nga tragjedia e Gërdecit, për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve. Stafi i kësaj banke ka shprehur ngushëllimet për të gjithë banorët e zonës, të cilët humbën të afërm të tyre apo dhe banesat gjatë shpërthimeve. Duke dashur të ofrojë ndihmë të vazhdueshme, “Emporiki bank” ka vënë në dispozicion dy numra llogarie për të gjithë klientët e saj, të cilët mund të derdhin aty kontributin sipas mundësisë. Numri i llogarisë në lekë “ALL 001000200010470” dhe numri i llogarisë “EURO 001420200014578” në Euro.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›