Bashkia nis promovimin e trashëgimisë kulturore

Nenkryetarja e Bashkise se Tiranes, Jorida Tabaku gjate aktivitetit
Bashkia e Tiranës ka nisur sot një aksion për promovimin e trashëgimisë kulturore në kryeqytet. Një grup nxënësish dhe studentësh, të shoqëruar edhe nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Joridas Tabaku kanë vizituar disa nga monumentet historike të Tiranës, përfshirë; Kullën e Sahatit, për të vijuar në kompleksin e Toptanëve, Urën e Tabakëve, Mozaikun e Tiranës etj.
Për ne ka shumë rëndësi të kuptojmë, se monumentet kulturore dhe trashëgimia kulturore e qytetit, nuk është vetëm këtu në qendër por ka shumë monumente të trashëgimisë kulturore, të cilët bashkarisht me Ministrinë e Kulturës po i identifikojmë, po përgatisim një bazë të dhënash për të gjithë këto monumente dhe do të përpiqemi maksimalisht që një ndër projektet kryesore të Bashkisë, të jetë mirëmbajtja, gjallërimi i këtyre monumenteve, në mënyrë që të organizohen sa më shumë ture si ky i sotmi theksoi Nënkryetarja e Bashkisë znj. Jorida Tabaku.
Në fjalën e saj, nënkryetarja Tabaku lançoi edhe projektin e ri të Bashkisë, Monumentet flasin, duke mundësuar që trashëgimia kulturore e qytetit të Tiranës, të vizitohet nga të gjithë turistët dhe kushdo që të vijë në Tiranë, të ketë informacion të bollshëm, të detajuar, për të gjithë këto monumente kulture.
Ne po përgatisim këtë informacion, po punojmë intensivisht, për ta bërë Tiranën atraktive, si nga pikëpamja turistike, nga pikëpamja e biznesit, por njëkohësisht edhe nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore, kështu që unë e konsideroj këtë projekt si të parin në këtë fushë, por njëkohësisht si iniciatorin e projekteve gjatë katër viteve të ardhshme, për të rigjallëruar identitetin tiranas, për të rigjallëruar identitetin e trashëgimisë kulturore dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore. Ne do të përpiqemi maksimalisht, nëpërmjet instrumenteve të planifikimit që kemi në dorë, të mos ta cënojmë atë, por ta mbrojmë dhe ta rigjallërojmë u shpreh znj. Tabaku.