Bashkia nuk ka lekë për rrogat, kërkon 200 milionë lekë borxh
Kriza ekonomike ka prekur Bashkinë e Fierit. Ndërsa shumë projekte të propaganduara gjatë vitit 2009 e më parë kanë mbetur pa u zbatuar, dy muajt e fundit administratës së bashkisë i është vonuar edhe paga. Afro 190 nëpunësit e Bashkisë së Fierit pagën e muajit tetor e nëntor e kanë marrë në datën 20 dhjetor, ndërsa ajo e dhjetorit është shtyrë për vitin 2010.
Përballë një krize të thellë financiare departamenti i financës në bashki i sugjeron kryetarit që t‘i drejtohet marrjes së një sasie të madhe lekësh borxh. Sugjerimin e daljes nga kriza kryetari i bashkisë e mirëpret dhe menjëherë jep urdhër për nisjen e procedurave.
Plot 200 milionë lekë të reja është shuma e lekëve që bashkia ka planifikuar të marrë borxh. Sipas kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, fillimisht është përcaktuar shuma që nevojitet për të dalë nga kriza dhe më pas është bërë një kërkesë drejtuar Ministrisë së Financave.
Duke i kujtuar ministrit Ritvan Bode ligjin për njësitë e qeverisjes vendore, që u jep të drejtën e huamarrjes, kryetari i bashkisë, Zeqaj, kërkon gatishmërinë e qeverisë për të lehtësuar procedurën e marrjes së borxhit.
Pritet që procedura e nisur mesin e muajit dhjetor të përfundojë ditët e para të vitit 2010. Edhe pse borxhi konsiderohet si një ogur i keq për veprimtarinë e bashkisë për vitin e ardhshëm mbetet e vetmja zgjidhje për daljen nga ngërçi financiar ku Bashkia e Fierit ka pothuaj një vit që është zhytur.
Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, tha për gazetën "Shqip" se janë një seri shlyerjesh të prapambetura nga viti 2009 që do të marrin një pjesë të mirë të borxhit të shpresuar. Ai shpjegon se të ardhurat e parashikuara të bashkisë nuk mjaftojnë për asnjë nga shlyerjet e prapambetura dhe jo më të mendosh kryerjen e investimeve apo vënien përpara të një sërë projektesh.
"Projektet kulturore të zbatuara gjatë vitit 2009 ende nuk janë shlyer. Kjo është një faturë e rëndë për bashkinë. Paga e punonjësve është një shqetësim i madh për departamentin e financës së bashkisë. Ndërkohë që projekti i rrethrrotullimit kryesor dhe mjaft projekte të tjera të parashikuara edhe tre vjet më parë rrezikohen. Pikërisht këto e shumë të tjera janë parashikuar që të paguhen me borxhin e kërkuar dhe shpresuar", tha Zeqaj.
Ai komenton për "Shqip" edhe tërheqjen e Kryeministrit Berisha për çështjen e bizneseve të vogla. "Nuk kemi të bëjmë me një tërheqje totale të Kryeministrit, pasi biznesi i vogël është ai që do të rëndohet. Ai do të duhet të paguajë edhe një bashki apo komunë edhe për qeverinë", tha Baftjar Zeqaj.
Sipas kryebashkiakut të Fierit, diferenca e buxhetit për vitin 2010 është plot 180 milionë lekë rinj, të cilat nuk do të mundësojnë ndërtimin e unazës së qytetit, urën hyrëse të Sheqit, rrugën hyrëse me drejtim nga Vlora, rikonstruksionin e bulevardit kryesor "Jakov Xoxe". Po ashtu, diferenca e buxhetit të vitit 2010 do të ulë edhe sipërfaqet e gjelbra për qytetin. Ulja e sipërfaqeve të gjelbra u ndje që këtë vit, pasi nga parashikimi i ndërtimit të 15 lulishteve vetëm 4 janë ndërtuar.
Kryetari i bashkisë akuzon Kryeministrin Sali Berisha që nuk ka respektuar asnjëherë mendimin e shoqatës së kryetarëve të bashkive apo dhe komunave.