E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS, dhuratë 40 mln lekë shtetit

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i "dhuron" rreth 40 milionë lekë të reja buxhetit të shtetit në fundvit. Me një llogari të thjeshtë se sa do t‘i kishin kushtuar shtetit 64 deputetët e selisë rozë në tre muaj aktivitet parlamentar, del se mungesa e tyre në Kuvend i ka kursyer shtetit shqiptar gati gjysmë milioni dollarë. Duke llogaritur që çdo deputet arrin të ketë të ardhura afërsisht 200 mijë lekë në muaj, rezulton se grupi parlamentar i opozitës "kushton" rreth 12.8 milionë lekë në një muaj. Duke e llogaritur këtë shumë për tre muajt që ata nuk kanë marrë asnjë të ardhur nga trajtimi si deputetë, konstatohet shuma që "digjet", duke kaluar nga buxheti i Kuvendit tek arka e shtetit. Në bazë të ligjit, një deputet paguhet 139.590 lekë të reja, ka tarifë telefoni 17.000 lekë, 2.000 lekë për çdo mbledhje komisioni parlamentar dhe 34.000 lekë në muaj (19 mijë karburant dhe 15 mijë shërbime). Në total kjo shumë shkon pak më shumë se 200 mijë lekë, pa llogaritur pagesat që kryejnë deputetët për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ka ndryshime në trajtim sidomos te kryetarët e grupeve, të cilët kanë një tarifë telefoni 20.000 lekë në muaj apo dieta ditore për deputetët me banim jashtë Tirane, 5.584 lekë (jo më shumë se 12 ditë në muaj). Kryetarët e grupeve parlamentare paguhen 5-15% mbi pagën e deputetit. Ndërkohë që sipas informacioneve të publikuara në media, në fundvit administrata e Kuvendit, me vendim të Kryetares Jozefina Topalli, ka marrë shpërblime.

Mungesa e deputetëve të Partisë Socialiste në punimet e Kuvendit shoqërohet me prerjen e ditës së punës dhe rrjedhimisht mospërfitimin financiar që ata gëzojnë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, funksion të cilin nuk e ushtrojnë që prej datës 8 të muajit shtator të këtij viti. Shpërblimi, në fakt, është i ndryshëm nga ai që shteti ka parashikuar për çdo buxhetor në fund të vitit në masën 10 mijë lekë. Në fund të muajit nëntor qeveria shfuqizoi vendimin e miratuar prej saj në mesin e vitit 2007 dhe miratoi një të ri "Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë". Sipas vendimit, në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet fondi i veçantë në masën 5% të fondit të planifikuar për pagat.

Ky fond përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, për veprimtari social-kulturore si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie. Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit për çdo punonjës nuk duhet të jetë më shumë se një pagë mujore në vit. Por mungesa e pagave dhe gjithë trajtimeve të tjera që i takon një deputeti, nuk është i vetmi shqetësim që kanë deputetët, ende të pabetuar të Partisë Socialiste. Pikërisht se nuk kanë kryer betimin si ligjvënës, ata shumë shpejt do të privohen nga një privilegj i rëndësishëm, çka mund t‘i detyrojë të heqin dorë nga shumë udhëtime e detyrime që kanë jashtë shtetit. Ministria e Jashtme i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit që të sjellë pranë këtij institucioni listën e deputetëve të Parlamentit në mënyrë që të ketë një rikonfigurim të dokumentit të pasaportës diplomatike, e cila do të ketë sigurinë dhe elementët e pasaportës biometrike, një detyrim për çdo shtetas shqiptar. Kryetarja e Kuvendit ka përcjellë pranë Ministrisë së Jashtme listën e deputetëve të mazhorancës dhe kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke përjashtuar në këtë mënyrë deputetët socialistë.

Veç kësaj kostoje të natyrës diplomatike, deputetët e selisë rozë kanë vështirësi edhe në lidhje me qarkullimin dhe të ardhurat që marrin për makinat e tyre. Në muajin gusht të këtij viti, kryetarja e Kuvendit dha urdhër që çdo deputet, duhet të dorëzonte mjetin që i vihej në dispozicion nga Parlamenti, një praktikë kjo që është ndjekur më parë vetëm për deputetët që nuk rizgjidheshin më në një funksion të tillë. Por me urdhrin e fundit, çdo deputet duhet të dorëzonte makinën.

"Në kuadrin e përgatitjeve të sektorit të transportit për fillimin e legjislaturës së 18 të Kuvendit të Shqipërisë, të dorëzoni brenda datës 25.08.09 autoveturën që keni në ngarkim, në parkun e Kuvendit. Shërbimi i Transportit të Kuvendit", thuhej në mesazhin që administrata e Kuvendit u nisi të gjithë deputetëve. Një urdhër i tillë mund të jetë mirëpritur nga taksapaguesit shqiptarë, si shenjë që tregon se qeveria ka tentuar të ulë shpenzimet e administratës e sidomos të institucioneve të larta të shtetit siç është Kuvendi. Urdhrit të kryetares, një pjesë e deputetëve nuk iu bindën menjëherë, pavarësisht se grupi parlamentar socialist dorëzoi në kohë gjithë makinat e marra nga Kuvendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›