Fondi për shpërblimet 2.4 miliardë, shpërndarja brenda dhjetorit
Autori i Lajmit: RedaksiaMinistria e Financave ka siguruar dje se brenda muajit dhjetor të këtij viti, të gjithë punonjësit e administratës si dhe pensionistët do të marrin rrogat dhe shpërblimet.
Dikasteri i Financave tha se pagat do të shpërndahen në bazë të ligjit duke siguruar se nuk do të ketë shtyrje për në janar 2010.
Deklarata
“Ministria e Financave ka reaguar me këtë deklaratë pas akuzave të bëra në media por dhe nga Partia Socialiste se për shkak të krizës që ka kapluar vendin, shpërblimet e fundvitit do të vonohen e do të jepen në janar. “Të gjitha pagesat për pagat e pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje pagese për në muajin janar. Ministria e Financave do të paguajë brenda muajit dhjetor edhe të gjitha shpërblimet prej 1 miliardë lekë, sipas vendimit të qeverisë Nr. 1215 dt. 16.12.2009, për punonjësit e administratës publike në masën 10 mijë dhe 15 mijë lekë”, lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Financave.
Pensionistët, gati 1.4 miliardë lekë
Ministria e Financave brenda muajit dhjetor do të kryejë pagesat për shumën 1.4 miliardë lekë, sipas vendimit të Qeverisë Nr.1216 dt.16.12.2009 për shpërblimin e të gjitha kategorive të pensionistëve në shumën 2500 lekë për pension, përfshirë pensionet e pleqërisë, familjare, të invaliditetit, ish-minatorët, ish-punonjësit e industrisë ushtarake dhe të gjithë kategoritë e tjera me trajtim pensioni të parakohshëm dhe trajtim të veçantë financiar. Brenda muajit dhjetor do të përfundojnë edhe të gjitha pagesat e prapambetura prej 400 milionë lekësh për personat me aftësi të kufizuara dhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike. Ministria e Financave sqaron se lajmet e shpërndara për pamundësi financiare të pagimit të pensioneve, pagave dhe shpërblimeve të fundvitit, janë të rreme dhe dashakeqe. Sipas këtij dikasteri, gjendja financiare e llogarisë të Thesarit mundëson respektimin dhe zbatimin e plotë të buxhetit të shtetit miratuar në Parlament. Ditët e fundit ne media u bë publik një dokument i Ministrisë së Financave që urdhëronte institucionet dhe thesarin të bllokonin qarkullimin e parave deri në janar 2010. Media e interpretoi këtë si një ndalesë për pagat e 15-shit të dytë të dhjetorit dhe shpërblimet ndërsa Ministria e Financave tha se kjo ishte një masë për shmangien e abuzimeve të mundshme me dhënien e pagës së 13-të për punonjës që nuk e meritojnë.
Ky lajm është publikuar: 18/12/2009