E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia pasuron arkën e Vllaznisë me 60 milionë lekë

Vetëm në janar, Bashkia e Shkodrës do të nisë afrimin e aksionerëve në klubin kuqeblu

Nëse largimi i presidentit Valter Fushaj bëri që shumë tifozë të Vllaznisë të parandjenin një situatë aspak pozitive, tani janë të bindur se edhe pa Fushajn janë në dorë të sigurt, për të mos thënë edhe më mirë sesa në epokën e ish-presidentit. Bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat që skuadrës mos t’i mungojë asgjë në këtë periudhë 3 mujore, ndaj ka akorduar një fond prej 60 milionë lekësh të vjetra, pa llogaritur paratë ekstra që do të shtohen nga biletat e shitura apo reklamat e ndryshe në stadiumin “Loro Boriçi”. Madje, ajo që ka bërë të gjithë stafin kuqeblu të ndjehet rehat, është fakti se paratë janë marrë në ditën e caktuar, pa asnjë vonesë. Por nuk është vetëm skuadra A ajo që ka përfituar nga marrja nën kontroll të klubit nga Bashkia. Edhe skuadrat e moshave po trajtohen më mirë duke u paguar rregullisht dhe nëpërmjet bankës, si kurrë më parë.

Kjo situatë e ka bërë klimën përqark ambientit kuqeblu të qetë dhe të sigurt. I vetmi “ngërç” i ditëve të fundit ka qenë pasiguria e trajnerit Mirel Josa, që pas ndryshimit të presidencës ka ndjerë njëfarë frike në lidhje me të ardhmen e tij në krye të Vllaznisë, por edhe ky i fundit është rehatuar nga kryebashkiaku Luka, që e ka ftuar të qëndrojë i qetë dhe të mendojë vetëm për stërvitjen e skuadrës.

Në Krujë shkodranët kënaqen dhe me 1 pikë

Kanë arritur 2 fitore në 3 ndeshje duke ndarë vendin e dytë me Flamurtarin, Tiranën dhe Teutën, por transferta e Krujës cilësohet si shumë delikate nga Vllaznia. Kuqeblutë do të ishin të kënaqur edhe me një pikë, pasi situata do ta detyrojë Kastriotin që të luftojë fort pas dy humbjeve radhazi. Megjithatë, trajneri Josa ka besim të madh në dyshen sulmuese Vajushi-Sukaj, padyshim dyshja më e mirë sulmuese deri në këtë fazë të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›