E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bala: Flamurtari, prova e vërtetë për Tiranën

SHKRUAN: Jeton Selimi 30-09-2011 14:37

Në ndeshjen e fundit kundër Pogradecit udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores, duke shënuar dy gola, të dy pas pushimit të ndeshjes. Bekim Bala, sulmuesi 20-vjeçar i Tiranës ndjehet gjithnjë e më mirë në kryeqytet dhe pas sezonit të shkuar, ku në fillim hasi vështirësi në integrimin e tij, tani duket se funksionon mrekullisht me pjesën tjetër të ekipit. Megjithatë, Bala e di shumë mirë se ka ende punë për të bërë dhe me të ardhmen që e ka përpara, ka se çfarë të pretendojë. Sidoqoftë, tani për tani ai, sikundër i gjithë ambienti bardheblu, janë të fokusuar në ndeshjen kundër Flamurtarit, prova e vërtetë si për Tiranën ashtu edhe vlonjatët, që kanë koleksionuar nga dy fitore në këtë sezon dhe nga një humbje, e ardhur nga dora e të njëjtit kundërshtar, Teutës. “Flamurtari është një kundërshtar i fortë, shumë i fortë dhe unë nuk jam aspak dakort me ata që e shohin skuadrën të dobësuar pas largimit të Xhafajt apo Devollit. Ata kanë ruajtur bërthamën e skuadrës dhe në ndeshjet që kanë luajtur kanë treguar një formë shumë të mirë. Vërtet janë mundur nga Teuta, por ishte episodike pasi ishin ata që patën lojën nën kontroll,” vëren sulmuesi i talentuar i bardhebluve. Më pas, ai fokusohet te skuadra e tij. Tirana po kalon një moment të mirë dhe kjo shihet në klasifikim, ndonëse janë katër skuadra në kuotën e gjashtë pikëve. Megjithatë, për Balën ky është një stimul edhe më i madh. “Ky kampionat duket se do të jetë më i forti i viteve të fundit. Ka shumë skuadra në gjendje që të rivalizojnë për titullin kampion dhe kjo e bën garën më të bukur. Tirana është një skuadër e mësuar me presionin dhe besoj se kjo do të përbëjë avantazh për ne. Megjithatë, është ende herët për të folur pasi janë luajtur vetëm 3 ndeshje dhe kampionati është akoma i gjatë,” komenton anëtari i skuadrës kombëtare U-21.

Me dy golat e shënuar, Bala është shndërruar në një pretendent edhe për “Këpucën e Artë”, pasi në llogarinë e tij golat kanë paur shifrën tre, me gjithë rrjetën e tundur në Krujë ndaj Kastriotit. Sidoqoftë, për Bekimin ky trofe është vetëm një plus i bukur nëse Tirana do të arrinte të fitonte titullin. “Golat e mi janë për Tiranën. Nëse arrijmë të fitojmë titullin kampion do të më gëzonte më shumë sesa kurora e goleadorit pa kuorën e kampionit. Superliga ka sulmues të fortë, por sinqerisht, parësor për mua është vetëm titulli kampion. Por më parë duhet të marrim tre pikët me Flamurtarin,” përfundon prononcimin e tij sulmuesi shkodran Bekim Bala, që është në sezonin e tij të dytë me fanellën bardheblu të Tiranës.

Superliga – Java IV

E shtunë

Pogradeci – Dinamo 14:00

Shkumbini – Tomori 15:00

Kamza – Apolonia 15:00

E diel

Kastrioti – Vllaznia 13:00

Laçi – Skënderbeu 15:00

Teuta – Bylis 17:00

Tirana – Flamurtari 17:00

Renditja

Skuadra N F B H Gol P

1) Bylis 3 2 1 0 9-5 7

2) Tirana 3 2 0 1 6-4 6

3) Vllaznia 3 2 0 1 6-3 6

4) Flamurtari 3 2 0 1 5-3 6

5) Teuta 3 2 0 1 3-3 6

6) Skënderbeu 3 1 2 0 3-1 5

7) Apolonia 3 1 1 1 3-3 4

8) Tomori 3 1 1 1 2-2 4

9) Kastrioti 3 1 0 2 7-6 3

10) Kamza 3 1 0 2 3-4 3

11) Shkumbini 3 1 0 2 5-8 3

12) Pogradeci 3 1 0 2 2-7 3

13) Laçi 3 0 2 1 4-6 2

14) Dinamo 3 0 1 2 1-4 1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›