E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia prezanton aktivitetet festive

14/03/2010 Dita e Verës

Për të gjashtin vit radhazi kryeqyteti do të festojë me një larmi aktivitetesh ardhjen e stinës së ngrohtë që paralajmërohet nga Dita e Verës. Edhe për këtë vit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një axhendë të ngjeshur festimesh, për t’u uruar qytetarëve ardhjen e stinës së ngrohtë, e cila pritet të mbushë gjatë ditës së nesërme rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit. Festimet do të nisin rreth orës 10.00 me aktivitete për të gjitha moshat, duke mos harruar edhe gatimet tradicionale të kësaj feste. Ato do të iniciojnë në sheshin "Skënderbej", me këngët dhe vallet e ansamblit "Tirana". Më pas, akrobatë dhe klounë nga Cirku i Tiranës do të argëtojnë fëmijët e pranishëm, ndërsa Banda e qytetit do të mbajë rrugëtimin, përgjatë gjithë bulevardit kryesor. Në shesh do të vendosen gatimet tradicionale të gatuara nga amvisat, të cilat do ua ofrojnë këtë ushqim qytetarëve që do t’i vizitojnë. Nëpër tryeza do të jetë shtruar ushqim dhe do të ndahet në porcione të vogla, në mënyrë që të ketë sa më shumë shijues të këtyre gatimeve. Kompani të ndryshme do të sjellin produktet e tyre dhe do të zhvillojnë aktivitete të shumta me të pranishmit, duke u dhënë dhe dhurata. Ndërsa në sheshet e tjera të kryeqytetit do të ngrihen skena të shumta, ku do të zhvillohen koncerte me këngëtarë të muzikës së lehtë, aktivitete me lojëra. Këtë vit do të ofrohet për herë të parë edhe shfaqja e parukierëve, ku do të shfaqen për publikun tendencat e fundit të modeleve dhe stilimeve të flokëve, që do të performohen live nga shkolla të ndryshme parukerie, nën drejtimin e Ardi Borovës. Në 10 poste të ndryshme pune, parukierët do të zbukurojnë zonjat, por dhe zotërinjtë, të rinj e të reja që duan të provojnë këta parukierë. Festimet do të vijojnë edhe me koncertet e muzikës, që do të zhvillohen në dy sheshet e mëdha të kryeqytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›