E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet heqja e dekoratave për Enver Hoxhën

14/03/2010 Shoqatat e të përndjekurve politikë apel Presidentit për dënimin e krimeve të komunizmit

Shteti shqiptar duhet të ndërhyjë në marrjen e masave për dënimin moral e ligjor të krimeve të ndodhura gjatë regjimit komunist në vendin tonë. Një ndër to është edhe heqja e dekoratave të ish-diktatorit Enver Hoxha. Të përndjekurit politikë i kanë bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të ndërhyjë në rrugë institucionale për zhvlerësimin e dekoratave të dhëna vite më parë për diktatorin Enver Hoxha. Gjatë një takimi të zhvilluar me kreun e shtetit, përfaqësues të Qendrës së Traumës dhe Torturës, së bashku me Shoqatën Mbarëkombëtare të të Përndjekurve Politikë, i kanë kërkuar Presidentit që brenda kompetencave që parashikon ligji shqiptar të merret vendimi për zhvlerësimin e dekoratave të marra nga diktatori Hoxha, që për vite të tëra shkaktoi tragjedi të shumta në familjet shqiptare me sistemin e tij shfarosës. Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës për Integrimin e të Përndjekurve, Besim Ndregjoni, ka pohuar për gazetën se u është bërë thirrje të gjitha instancave shtetërore që të ndërhyjnë në heqjen e dekoratave, si dhe zhvlerësimin e meritave që i janë veshur diktatorit më të egër që ka njohur ndonjëherë vendi ynë. Lidhur me kërkesën e bërë, Ndregjoni shprehet se është turp kombëtar që klasa politike nuk reagon për dënimin e krimeve të komunizmit dhe shkaktarëve të saj, ndërkohë që populli e ka dhënë ndëshkimin e tij formalisht 20 vjet më parë, duke i hequr zvarrë bustin nëpër kryeqytet, ndërsa shteti shqiptar dhe klasa politike nuk po japin dënimin ligjor që meriton rasti përkatës. Pavarësisht se ende nuk është dhënë një përgjigje nga instancat qeveritare për këtë çështje, Ndregjoni shton se ekzistenca e një shteti demokratik nuk mund të mbetet i tillë, pa u pastruar më parë nga mbetjet e regjimit që shndërroi në viktima me mijëra qytetarë. “Politika shqiptare dhe veçanërisht aktorët përbërës të saj duhet të respektojnë Kushtetutën, e cila dënon pa asnjë lloj hezitimi të gjithë ata që shkelën të drejtat dhe liritë themelore të njeriut gjatë regjimit komunist. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një person që ishte në krye, por për të gjithë stafin e tij, që i dha ndihmë në realizimin e këtyre ngjarjeve të shëmtuara. Ndaj kërkojmë ndërhyrjen e tyre, duke i thënë ‘jo’ heshtjes dhe duke respektuar me mijëra familje që u bënë viktimë e regjimit të egër të asaj kohe, që është absurditet të mos mbështeten gjatë ditëve të sotme, kur pohohet se po jetojmë në një shoqëri demokratike”, ka deklaruar Ndregjoni.

Çmimi

Strukturat ndërkombëtare vlerësojnë me çmim viktimat e regjimit komunist. Në një aktivitetet të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, ambasada amerikane në Tiranë ka akorduar një çmim të veçantë për kundërshtaren më të madhe të ish-diktatorit Enver Hoxha, Musine Kokalari. Dhënia e çmimit është akorduar në nder të veprës së saj dhe rezistencës së bërë kundër krimeve dhe ngjarjeve të shëmtuara që sillte sistemi i asaj kohe në vendin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›