“Bashkia s’ka projekt për sheshin ‘Skënderbej’, fondet janë dhënë nga qeveria para dy vitesh”

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi
Ministri i Transporteve Sokol Olldashi u shpreh dje se bashkia e Tiranës nuk ka asnjë projekt për ndërtimin e sheshit “Skënderbej” edhe pse fondet nga qeveria i janë dhënë prej dy vitesh.
Pak orë pasi kryeministri Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e qeverisë se sheshi kryesor i Tiranës është në gjendje të mjerueshme dhe “po na nxin faqen”, ministri Olldashi mbajti një konferencë për media në të cilën tha se Bashkia e Tiranës refuzoi ndihmën e Qeverisë në vend që të bashkëpunojë për përmirësimin e infrastrukturës publike në shërbim të qytetarëve.
Duke iu referuar akuzave të kryebashkiakut Rama se qeveria ka zvarritur shpronësimet, Olldashi tha se Bashkia nuk ka projekt për sheshin “Skënderbej”.
“është kontraktuar një fond, 10 milionë USD ndihmë e qeverisë kuvajtiane që kur kryeministri i Kuvajtit vizitoi Tiranën dy vite më parë, fondi i është ofruar Bashkisë dhe Bashkia e ka sorollatur këtë çështje”, akuzoi Ministri Olldashi.
Sheshi në qendër të Tiranës është kthyer prej kohësh në një makth për kalimtarët dhe automjetet që kalojnë mbi të. Prej vitesh të tëra Bashkia e Tiranës, përveç premtimeve nuk ka bërë asnjë punë konkrete për kthimin e normalitetit në këtë zonë tepër të rëndësishme të kryeqytetit.
...