E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në Evropë nuk mund të shkojmë si kultivues droge, të veprojë ligji”

Kreu i ekzekutivit kërkon zbatimin e ligjit ndaj qeveritarëve vendorë si dhe ndaj atyre që mbjellin cannabis

Kryeministri Berisha u shpreh se do të shpërblehen ata që do të denoncojnë sipërfaqet e mbjella me kanabis, ndërsa kërkoi nga forcat e rendit, me angazhimin, profesionalizmin dhe kompetencat e tyre, ndëshkimin e projekteve të zeza të trafikut ndërkombëtar

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje për një koordinimin të punës së institucioneve shtetërore në bashkëpunim me njësitë vendore, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Duke e konsideruar si jetik procesin e integrimit, shefi i ekzekutivit deklaroi se duhet ndëshkuar në çdo cep të vendit kultivimi i narkotikes, ndërsa kërkoi zbatim të rreptë të ligjit si ndaj “tolerancës” së qeveritarëve vendore ashtu edhe kultivuesve të cannabis-it. Këtë deklaratë kryeministri e bëri dje në takimin vjetor për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, i organizuar nga Ministria e Brendshme.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha vlerësoi forcat e rendit për betejën e tyre të suksesshme, të vendosur dhe të guximshme kundër trafiqeve në tërësi, trafikut të drogës në veçanti. “Me angazhimin tuaj, profesionalizmin, kompetencat dhe guximin tuaj, ju keni bërë që Shqipëria gjithnjë e më shumë të çlirohet nga projektet e zeza të trafikut ndërkombëtar dhe gjithnjë e më shumë të konsiderohet një rrugë tejet e rrezikshme për trafikantët rajonalë dhe ndërkombëtar. Në këtë betejë ju ia keni dalë të rrisni me shpejtësi numrin e operacioneve të suksesshme, të penalizoni dhjetëra e qindra trafikantë dhe ia keni dalë të dekurajoni mbjelljen e cannabis sativas në Shqipëri”, tha Berisha, duke evidentuar se “ulja e kultivimit është një realitet që progreson nga viti në vit dhe kjo përbën meritë të vërtetë të punës tuaj. Ju keni rritur shkallën e kualifikimit. Efektivat që merren me luftën kundër trafiqeve, mjetet moderne të përdorimit në këtë luftë, vendosja e radarit të detit ka rritur në mënyrë të ndjeshme kompetencën në punën tuaj për kontrollin e hapësirës detare të vendit dhe goditjen efikase të trafikut në detin Jon dhe Adriatik. Pra, mblidhemi sot me një bilanc realisht të suksesshme, për të cilin meritoni përgëzim, por sërish Shqipëria është një vend ku kultivohet droga, kultivohet cannabis sativa dhe kjo përbën një problem madhor”, u shpreh shefi i ekzekutivit.

Kryeministri theksoi zbatimin e ligjit si një domosdoshmëri unike në këtë betejë. Berisha paralajmëroi masa të ashpra ndëshkimi për qeveritarët vendorë të cilët tolerojnë parcelizimin e tokave për kultivimin e cannabis-it dhe njëherazi edhe kultivuesit. Për këtë kryeministri solli në vëmendje ligjin e miratuar 4 vite më parë, ligjin më të standardizuar në luftën kundër bimëve narkotike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›