E Diel, 1 Nëntor 2026

Objektivi për 2010-n, çrrënjosja e këtij fenomeni në Shqipëri

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, shprehet për një politike të ashpër ndaj kultivuesve të bimëve narkotike

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaron se angazhimi i strukturave të Policisë së Shtetit në luftën kundër bimëve narkotike, do japë frytet e duhura gjatë këtij viti.

Në fjalën e tij, mbajtur në takimin vjetor për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, Basha u shpreh se qeveria shqiptare i jep vëmendje të jashtëzakonshme vit pas viti parandalimit dhe luftës kundër kultivimit të kanabis sativa në vendin tonë.

“është e qartë nga rezultatet e 2009-s, se zbatimi në tërësi i planit të veprimit në luftë kundër trafikut të drogës dhe në veçanti në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike ka dhënë rezultate të prekshme. Rënia prej 14 për qind shoqëruar me një rënie prej 18% në 2008 në krahasim me 2007, pra një rënie mbi 30 për qind e arritur në dy vjet. Vetëm dy javët e fundit Policia e Shtetit ka sekuestruar afro dy tonë kanabis sativa. Raportet ndërkombëtare flasin qartë për një ulje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të sasisë së drogës të kultivuar në Shqipëri që arrin të tregtohet jashtë kufijve të republikës. Ndërkohë që për sa i përket trafikut transkufitar të heroinës, raportet e fundit qartësisht vërejnë rezultatet shumë pozitive që ka sjellë organizimi i punës në bazë të të cilit qëndron moratoriumi për mjetet lundruese”, u shpreh Basha.

Sipas tij, plani i vitit 2010 paraqet ambicie të reja dhe objektiva të reja dhe nuk ka si të jetë ndryshe.

“Objektivi ynë është çrrënjosja e plotë e këtij fenomeni në Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye zbatimi i këtij plani do të kërkojë një koordinim edhe më të mirë, edhe më efikas, polici-pushtet vendor duke shtuar përpjekjet nga pushteti vendor dhe duke shmangur çdo hezitim në përmbushjen e detyrimeve ligjore”, deklaroi më tej, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, duke shtuar se Policisë së Shtetit për herë të parë do t’i vihen në dispozicion mjetet më moderne teknologjike siç është dhe vëzhgimi satelitor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›